Gjergj Vyshka 15.01.2015 16:45
Sporti i harkëtarisë duket se po kërkon të zhvillohet në vendin tonë. Dhe për këtë qëllim, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, nëpërmjet programit të Solidaritetit Olimpik dhe ndihmës së Federatës Botërore të Harkëtarisë, ka vendosur që të zhvillojë një kurs trajnimi për trajnerët e kësaj disipline, nga data 21 shkurt, deri më 4 mars 2015.
Kursi, gjithnjë sipas njoftimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, do të zhvillohet sipas kritereve të kualifikimit të Federatës Botërore të Harkëtarisë – Niveli 1 – dhe për të drejtuar këtë kurs në Shqipëri, kjo Federatë do të dërgojë ekspertin e saj. Kriteret e pjesëmarrjes në këtë kurs janë disa.
Këto janë që të ketë njohuri dhe lidhje me fushën e sportit, të ketë arsimin e lartë ose të jetë një proces studimi (përparësi do të kenë ato kandidat të cilët janë duke studiuar në Universitetin e Sporteve), të njohë një gjuhë të huaj (avantazh përbën anglishtja) dhe të jenë nën moshën 35 vjeç.
Kandidatët për të marrë pjesë në këtë kurs do të kalojnë dhe në intervistë e më pas ata do të marrin konfirmimin përfundimtar për pjesëmarrjen në këtë kurs. Gjithsesi sporti i qitjes me hark duket se është kthyer në qëllim i KOKSH-it, ashtu sikurse ka bërë kohë më parë dhe në promovimin e skermës, për ta zhvilluar atë.