Gjergj Vyshka 21.12.2015 17:05
Katër Komitete Olimpike (Shqipëri, Mali i Zi, Maqedoni dhe Kosovë) bëjnë hapat e para për rritjen e përbashkët të të gjithë kuadrit sportiv edhe nëpërmjet veprimtarive, apo Ligave të veçanta. Nismat e para të bashkëpunimit do të jenë me fokus tek të rinjtë. Palët ranë dakord që projekti i parë i bashkëpunimit do të jetë një program edukativ i orientuar tek menaxhimi në sport i titulluar “Lidershipi i të Rinjve në Sport”.
Për këtë projekt modeli do të jetë një program edukimi dhe shkëmbimi me përzgjedhjen e 5-6 pjesëmarrësve nga çdo Komitet Olimpik (mundësisht sportistë aktiv ose në përfundim të karrierës) nga mosha 18, deri më 25 vjeç në të cilën do të ndërthuret edukimi dhe shkëmbimi i kulturave. Programi do të shtrihet në 6 muaj ose një vit dhe çdo Komiteti Olimpik do te mirëpresë organizimin e një moduli për një javë.
Nisma e bashkëpunimit synon të jetë e vazhdueshme dhe pa kufizim kohor. Për këtë nismë është folur me Solidaritetin Olimpik dhe në parim janë dakord të mbështesin idetë dhe projektet e propozuara të bashkëpunimit ballkanik. Programet vijuese të sugjeruara në takim janë me fokus tek kurset teknike për trajnerë, veprimtari sportive ndërkufitare, etj.
Për veprimtaritë ndërkufitare u sugjerua që mund të diskutohet edhe me Komitetin Olimpik Evropian, apo dhe zyrën e Bashkimit Evropian në Bruksel për të mbështetur aktivitetet e përbashkëta. Një tjetër ide që u propozua dhe u prit me shumë interes nga palët ishte shtrirja e bashkëpunimit shumëpalësh nga Komitetet Olimpike në atë të federatave sportive.
Në detaje u diskutuan nisma që bëjnë të mundur këtë bashkëpunim duke filluar me zhvillimin e turneve rajonale në sporte të caktuara, apo krijimi i Ligave për disiplina të veçanta sportive. Në vijim palët ranë dakord që të hartohet një projekt i përbashkët, i cili do të marrë miratimin e palëve përpara se të paraqitet në Solidaritetin Olimpik. Në përfundim tryeza u mbyll vendimin për mbajtjen në Podgoricë të mbledhjes së ardhshme, atje ku do të zyrtarizohet kjo nismë me nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi.