Gjergj Vyshka 06.03.2015 15:55
KOKSH në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit realizoi sot promovimin e Paketës Olimpike Nr. 4, në praninë e përfaqësuesve të Drejtorive Arsimore dhe Zyrave Arsimore të gjithë vendit. Qëllimi kryesor i Paketa Olimpike është të japë njohuri mbi zhvillimin dhe historikun e Lojërave Olimpike , dhe vlerave edukative të lidhura me sportin, mjedisin, dhe shkencën.
Materialet e përzgjedhura dhe të punuara nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar janë ofruar nga Komiteti Olimpik Francez (EPS, Sport et Olympisme), nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe Muzeu Olimpik Ndërkombëtar. Me anë të kësaj Pakete ne mundësojmë realizimin e objektivave tona: Përmirësimi i procesit të Edukimit Olimpik në shkolla dhe Organizimi i Javës Olimpike si pjesë e kurrikulës në të gjitha shkollat e vendit, sipas të simboleve Olimpike dhe parimeve te Olimpizmit .
Suksesin e implementimit të Paketës e lidhim me rezultatet pozitive që do të ketë procesi i edukimit fizik në shkollë pasi programet e reja për planin e vitit akademik 2014-2015 përfshijnë rritjen e numrit të orëve të edukimin fizik në 3 orë në javë. KOKSH ka nënshkruar tashmë një Marrëveshje Protokoll Bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që përfshin edhe përmirësimin e Edukimit Olimpik në shkollë. Këto janë të gjitha elementet të cilat do të ndihmojë për zbatimin më të mirë të PO nr.4
Paketa përmban materialet e mëposhtme :
- Libri i Mësuesit
- Libri i punës i Nxënësit
- Posterat tre modele : Respekti, Miqësia dhe Përsosmëria
Libri i Punës për Mësuesin është një material didaktik shumë i mirë pasi ka ide konkrete për realizimin e projekteve , duke shpjeguar qëllime, burimet, përfitimet, realizimin e procesit mësimor dhe atë edukativ, etj. Libri është i ndërtuar mbi bazën e 9 skedave dhe secila prej tyre realizohet me anë të një projekti. Pavarësisht projekteve të ndryshme sipas qëllimit që ato synojnë të realizojnë të gjitha projektet analizohen sipas një strukture të njëjtë dhe të përcaktuar , duke nxjerrë më mirë në pah përfitimet e marra nga secili projekt.
Libri i Punës për Nxënësin është një material me rreth 104 faqe , i ndarë me 9 kapituj, dhe përmbledh informacion aktual mbi Lëvizjen Olimpike, Vlerat Olimpike, Lojërat Olimpike Rinore , si krijohen heronjtë dhe si ndikojnë figurat e njohura sportive në jetën e të rinjve, etj. Libri është titulluar Libri i Punës për nxënësit pasi krahas informacionit të madh mbi Lëvizjen Olimpike përmban dhe Kuice Olimpike se bashku me Anekset përkatëse me përgjigje, si dhe shume flete pune që japin mundësi të zhvillimit të punës në grup.
Paketa përmban edhe tre postera, ku secili nga ato prezanton kuptimin e njërës nga Vlerat Olimpike, ne formatet 4xA4 dhe do të shërbejnë për të pasuruar këndin Olimpik në shkollë. Secili nga posterat ka përkufizimin e njërës nga Vlerat Olimpike të shprehur në anglisht dhe në shqip dhe është pasuruar me foto nga aktivitetet e KOKSH në përshtatje me vlerën që simbolizon.
Partnerët , Targeti dhe Objektivat e Paketës
Partnerët kryesorë tanë në implementimin e kësaj pakete janë:
– Akademia Olimpike Shqiptare dhe Komisioni Sport për të Gjithë i KOKSH
– Ministria e Arsimit dhe Sportit,
– Drejtoritë Rajonale të Arsimit dhe
– Mësuesit e Edukimit Fizik.
Targeti për përdorim dhe shpërndarje të paketës do të jenë shkollat publike 9-vjeçare në të gjithë vendin. Sipas listës dhe informacionit në MAS në vend ndodhen rreth 1863 shkolla publike 9-vjeçare. Për këtë arsye paketa është planifikuar dhe është realizuar në sasinë 2000 copë. Në lidhje me rezultatet e një impakti afat gjatë të Paketës është marrë në konsideratë ndikimi për krijimin e traditës të aktivitetit “Java Olimpike “ në të gjitha shkollat në Shqipëri. Çdo shkollë është planifikuar të ketë një paketë , por materialet japin mundësi që të ndahen dhe të shumëfishohen, apo të përdoren pjesërisht nga mësues të ndryshëm.
Promovimi dhe shpërndarja e Paketës Olimpike
Ky proces filloi sot i realizuar nga bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit , Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtorinë e Sporteve në një takim me pjesëmarrjen e Drejtorëve të Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore në të gjithë vendin.
Shpërndarja dhe Trajnimi
KOKSH do të stabilizojë bashkëpunimin me çdo Drejtori Arsimore Rajonale, të cilat nga ana tyre do të jenë përgjegjëse për organizimin e procesit të njoftimit të mësueseve që do të vijnë në trajnim.
KOKSH në bashkëpunim me Akademinë Olimpike dhe Komisionin Sport për të Gjithë do të sigurojë trajnerët dhe programin për trajnimin e mësuesve të Edukimit Fizik në lidhje me zbatimin e PO4, në disa nga qytetet kryesore të vendit , aty ku janë DAR më të mëdha dhe numri shkollave më i madh.
Kjo fazë do të na sigurojë kontaktet e nevojshme për të ndërtuar database me të dhënat e mësuesve dhe kontakteve për të vazhduar monitorimin në fazën tjetër.
Monitorimi i procesit të implementimit të PO nr.4
Kjo fazë do të realizohet gjatë organizimit të Javëve Olimpike në shkolla të ndryshme, të planifikuara gjatë periudhës Maj-Qershor 2015. Nga praktikat e këtyre katër viteve është parë se realizimi i Javëve Olimpike fillon që në muajin Prill, dhe vazhdon në muaj Maj dhe më pak në Qershor, duke qenë se shkollat mbyllen më shpejt në Qershor. Kemi parë se shkollat organizojnë Javët Olimpike dhe në fund në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore dhe Qendrat Kulturore të Fëmijëve të qytetit janë organizuar Ditët Olimpike të Qytetit. Në këtë fazë nga KOKSH do të monitorohet proceset e organizimit të Javëve Olimpike nëpër shkolla në përputhje me materialet e PO 4 dhe do të siguroj feedback me anë të formularëve dhe pyetësorëve. Veçanërisht në ato shkolla, apo qytete që nuk kanë pasur më parë organizime të tilla.