Gjergj Vyshka 18.02.2015 14:35
Dje pasdite, në mjediset e Hotel “Mondial” në Tiranë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka organizuar forumin e parë të ASMC-së me temën “Menaxhimi i sportit dhe sfidat e shekullit të 21-të”. Në të kanë marrë të diplomuar në kurset për administratorët sportiv “Kompas 1 & 2” dhe “ASMC 1 & 2”. Tre kanë qenë temat e diskutuar: “Mirëqenia e organizatave sportive”, “Legjislacioni i sportit në Evropë dhe sfidat e tij” dhe “Axhenda 2020” dhe Vizioni i Lëvizjes Olimpike”.
Dhe përveç sekretarëve të Federatave sportive, disa prej të cilëve kanë qenë edhe lektorë në këto kurse, apo dhe anëtarëve të Komitetit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, shto këtu dhe të diplomuarit, në këtë kurs ka qenë e pranishme dhe Lina Musumara (studio ligjore dhe partnere e Komitetit Olimpik të Italisë). Sakaq në këtë forum kanë përshëndetur presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani dhe Sekretari i Përgjithshëm i olimpizmit shqiptar, Stavri Bello.
Zëvendësministri i sporteve Rauf Dimraj ka referuar temën për “Mirëqeverisjen e organizatave sportive”, kurse tema “Legjislacioni sportiv Evropian dhe sfidat e tij” është referuar nga Lina Musumara. Ndërkohë nga pjesëmarrësit në këtë kurs janë ngritur problematika të ndryshme si mungesa e përdorimit të palestrave, mungesa e këshillimit për ndryshimin e legjislacionit nga baza e organizatave sportive, cilësia e ulët e sportit elitar, përgjegjësia dhe siguria e ekipeve sportive.
Madje janë ngritur shqetësimet që rrjedhin nga problematikat e ndryshme të Ligjit për sportin shqiptar, atje ku kanë marrë pjesë zëvendësministri Rauf Dimraj, mjeku sportiv Lluka Heqimi, trajneri i Dinamos në volejboll për femra Genci Nexhipi, trajneri i të rinjve të Tirana Volej Team, Albion Hajdari, apo dhe anëtari i Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Karatesë, Florian Muça. Përgjithësisht një forum që solli shkëmbime idesh dhe përplasje mendimesh në debate, të cilat shpresohet se do t’i shërbejnë sportit shqiptar jo vetëm në një afat të shkurtër, por dhe më gjatë, sepse sporti nuk ka asnjëherë fund. Në cilësi dhe në ide.