AlbanianSport.com 29/11/2017 15:15
ASNN – Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Polonisë. Protokolli i marrëveshjes është firmosur nga presidenti Viron Bezhani dhe Andrzej Krajnicki. Bezhani do të theksonte se Polonia ka shfaqur dëshirën e madhe për të ndihmuar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.
“Aq më tepër, – thotë Bezhani, – që jemi në prag të pjesëmarrjes në Lojërat Mesdhetare, apo dhe ato Evropiane. Ne e vlerësojmë si ndihmë të çmuar, ndërsa bashkëpunimi do të jetë shumë i vyer”. Ndërkohë Krajnicki ka vlerësuar shumë faktin që kjo marrëveshje e firmosur po vjen dhe në 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Fushat e sportit janë të mëdha dhe ne mund të kemi shkëmbim eksperiencash në boks, peshëngritje, etj, – tha ai. – Ndaj dhe po firmosim këtë marrëveshje”. Mes Bezhanit dhe Krajnickit janë shkëmbyer dhe dhuratat e rastit, kurse KOKSH ka firmosur kështu marrëveshjen e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Polonisë.