Gjergj Vyshka 17.09.2016 14:15
Që në fillim të fjalës në konferencën e djeshme për shtyp, Viron Bezhani e ka nisur polemikat e krijuara në delegacionin olimpik si të stisura. Dhe menjëherë është ndalur tek bursa e Caljes, e cila me dy deklarata të ndryshme ka shkaktuar të gjitha ato pështjellime. Me kontratën e sportistit në dorë, kreu i KOKSH-it ka demonstruar nëpërmjet kontratës së sportistit, që është pjesëtar i delegacionit olimpik në Rio, i cili në nenin 7, pika 5 ka të parashikuar: “Anëtari i delegacionit në Lojërat e 31-ta Olimpike Verore nuk do të lejojë që personi, emri, imazhi ose shfaqja e tij sportive të shfrytëzohen për qëllime publicitare të palës së tretë me përjashtim të rastit kur është marrë autorizimi nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH”.
Në këtë mënyrë, të paktën sipas asaj që thotë Bezhani e KOKSH, të gjitha deklaratat e peshëngritësit janë të përdorura për qëllime të tjera. Dhe Bezhani këmbëngul dhe një herë: “Në deklaratën e tij të parë nuk mund të jepja arsye pse nuk i takonte bursa, e cila në fakt i është dhënë Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Sepse dëmtonim imazhin e sportistit në prag të Lojërave Olimpike. A ishte ky momenti për të ndezur polemikat? Ndaj unë them që këtu ka diçka që nuk shkon. Për Velin në një afat 5 orësh është bërë regjistrimi në Rio, është bërë bileta dhe është nisur e nuk kishte kohë më për të bërë kostumin.”
“Edhe delegacione më të mëdha se sa ne nuk do ta kishin arritur një gjë të tillë”, – ka shtuar Bezhani. Ndërkohë po me letra KOKSH ka demonstruar atë që ka paraqitur në lidhje me Sidni Hoxhën, që është regjistruar më 3 korrik me kohën 22”93 në 50 metra stil i lirë e që, nëpërmjet “e-mail”-eve, notari ka kërkuar ndjesë për keqkuptimet që lidhen me pjesëmarrjen e tij në 100 metra në stil të lirë. Dhe nëse nuk është regjistruar me kohën e tij, çka figuron në të gjitha dokumentet që KOKSH ka sjellë për Hoxhën, ky është vetëm problemi i sistemit të FINA-s. “Sa për bursën e mundjes – thotë Bezhani – është vetëm mashtrim i Federatës Shqiptare të Mundjes.”
“Kjo sepse Martin Biba nuk është takuar me Laloviçin në Sofje, – ka pretenduar kreu i KOKSH-it. – E për rrjedhojë ne nuk e përfitonim dot atë bursë kur në Londër 2012 kemi qenë me 8 sportistë. Kjo është e gjithë situata e polemikave, që ne nuk na bën të dështuar dhe nuk çahemi.” E sa për rastin e dëmtimit të Gegës, ndërsa në kontratën e nënshkruar nga sportisti është e parashikuar në nenin 6 (Kujdesi Mjekësor): “Anëtari i Delegacionit të Lojërave të 31-ta Olimpike Verore “Rio 2016” duhet që para nisjes për në këto Lojëra të lajmërojë KOKSH për çdo sëmundje apo dëmtim që mund të ndikojë në rendimentin e tij sportiv”, Bezhani ka sqaruar qëndrimin e ri.
“Doli dhe nga diskutimet në mbledhje, ndërsa në rastet kur janë të dëmtuar nuk do të çohen në veprimtaritë ndërkombëtare”, – ka bërë të ditur presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. E faji erdhi si pasojë e neglizhencës së Agjencisë shqiptare të Sporteve, sipas Bezhani, institucioni qeveritar që duhet të ekzaminojë të gjithë sportistët para nisjes për në veprimtari madhore.