Gjergj Vyshka 10.02.2015 10:10
Farka Volej, finalistja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj, një skuadër e cila bëri lojën më spektakolare në veprimtarinë e dytë më të rëndësishëm të rrjetës shqiptare, veçanërisht në gjysmëfinale ndaj Tiranës, sot do të jetë e ftuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Bezhani, të paktën edhe sipas njoftimit për mediat bërë nga institucioni më i lartë i olimpizimit shqiptar, e ka parë Farkën Volej si një model ekipi i realizuar, i cili me punë këmbëngulëse mundet që me historinë e tij të shkurtër gjashtëvjeçare të jetë në një finale të rëndësishme siç ishte Kupa e Shqipërisë.
E jo vetëm kaq, por dhe të mundi ekipe të tjera me histori të gjata fitoresh. Në të vërtetë Farka Volej meriton jo vetëm këtë pritje në KOKSH, por dhe shumë pritje të tjera, sepse është një skuadër që ka arritur në këtë pikë duke qenë kampione e paratërinjve, e të rinjve dhe sot falë talenteve të saj është e aftë të ndeshet denjësisht me të gjithë. Madje çelja e skuadrave në të gjitha brezat e grupmoshat duket se do ta ketë gjatë vazhdimësinë e Farkës në volejboll si një skuadër që kurrë nuk ka për t’u harruar, por që shumë shpejt do të jetë fitues dhe me të rriturit.
Farka Volej është fenomen dhe këtë nuk e vë në dyshim asnjë, ndërsa sot talentet e saj janë të lakmueshëm nga të tjerë, por gjithsesi është vetëm finalist dhe vendi i dytë në Kupën e Shqipërisë. E megjithatë, për më shumë inkurajim dhe për nxitje dhe të tjerëve për të marrë shembullin e Farkës, trajneri i Studentit, Ylli Tomori, e ka vlerësuar, madje ka kritikuar dhe Federatën Shqiptare të Volejbollit pse nuk ka dhënë medalje për vendin e dytë, KOKSH ka vendosur ta presë sot në mjediset e saj skuadrën e trajnerit Dritan Bardhi. Një skuadër më shumë se model…