Gjergj Vyshka 28.01.2015 12:35
Presidenti Bezhani: “Ky është promovim për sportin shqiptar dhe mbështetje për projektet”. Një përgjegjësi e madhe për Komitetin Olimpik Shqiptar, sepse është ndër rastet e rralla që ndodh që Komiteti Ekzekutiv të bëjë mbledhje në Tiranë. Sepse ardhja e personaliteteve më të larta të sportit evropian në vendin tonë është vlerë e shtuar për sportin tonë.
Këtë ka dashur të deklarojë dhe presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani, që për Gazetën e Sportit do të deklaronte: “Përgjigja pozitive e presidentit të Komitetit Olimpik Evropian për të sjellë mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv në Tiranë është tregues i bashkëpunimit të mirë ndërmjet organizatave dhe veçanërisht do të jetë pozitive për të ardhmen e sportit në vendin tonë.”
“Kjo do të thotë në zhvillimin e projekteve për promovimin e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, si dhe mbështetje për të gjitha projektet që ne kemi për zhvillimin e tij. Edhe një herë kjo mbledhje e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Evropës në Tiranë është një vlerë e shtuar për sportin shqiptar”, – ka përfunduar presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.