AlbanianSport.com 06/01/2018 10:50
ASNN – Bello: “Këta dy sportistë i kanë arritur normat e kualifikimit për në Lojërat Olimpike Dimërore, shpresojmë dhe për Biçokun të kualifikohet.” Erjon Tola dhe Suela Mëhilli janë përfaqësuesit e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore, që zhvillohen nga data 9, deri më 25 shkurt në Pjongçeng të Koresë së Jugut. Të dy sportistët, të paktën edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, i kanë arritur normat e kualifikimit.
Pritet edhe Marsel Biçoku, ndërsa të tre sportistët kanë qenë përfitues të bursave olimpike për përgatitjen e tyre. Shpresohet në një përfaqësimi dinjitoz, ndonëse pretendimet janë minimale për medalje në Korenë e Jugut. Ndërkohë Lojërat Mesdhetare në Tarragona, si dhe Lojërat Olimpike Rinore në Buenos-Aires janë dy evenimente të tjera, të cilat impenjojnë sportin shqiptar.
Stavri Bello, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, për përgatitjet për në Korenë e Jugut, por për të tjerat, ka dhënë një intervistë për RTSH Sport, të cilën AlbanianSport.com po e sjell në dy pjesë dhe dje ishte pjesa e parë, ndërsa sot, e dyta.
…vijon nga dje
– Cilat janë datat e garimit të sportistëve tanë?
– Sportistët tanë do të garojnë në javën e dytë të Lojërave Olimpike Dimërore, pasi disiplina e sllallomit gjigant dhe special është në fund të aktivitetit. Kështu që ne do ta kemi ekipin që në fillim për ceremoninë e hapjes së Lojërave, të flamurit dhe të parakalimit.
– A është caktuar flamurmbajtësi i Shqipërisë?
– Akoma jo. Në mbledhjen e radhës Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar do të diskutojë për këtë pikë. Sigurisht që ne deri më tani kemi marrë masat përgatitore në lidhur me veshjet, përfaqësimin e ekipit, ceremoninë e dorëzimit të flamurit, udhëtimin, i cili në fakt është i vështirë, sepse bëhet fjalë për një vend të largët dhe është e vështirë të gjenden bileta të lira. Jemi në pritje të konfirmimit të ceremonisë së dorëzimit të flamurit në presidencë, apo dhe aktiviteteve të tjera reklamuese që ne kemi menduar të organizojmë.
– Së fundi, si do të jetë viti 2018 për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar?
– Është mjaft i ngarkuar me veprimtari sportive. Ne kemi dhe Lojërat Olimpike Rinore, të cilat zhvillohen në Buenos Aires të Argjentinës, ku dhe këtu shpresojmë të marrim pjesë me 4-5 sportistë. Është me kuota kualifikuese, por përfitojmë dhe nga programi gjithëpërfshirës duke pasur dhe dy ftesa. Ne dëshirojmë që, në nivelin e të rinjve të kemi më shumë sportistë të kualifikuar, por që e vështirëson pjesëmarrjen. Këtu bëhet fjalë për disiplinat individuale, sepse ato kanë më tepër mundësi për të marrë ftesat, por dhe pjesë në garat kualifikuese. Ndërkohë që janë dhe Lojërat Mesdhetare në Tarragona. Kjo veprimtari është pa norma kualifikuese, kështu që ne do të kompensojmë pjesëmarrjen më të gjerë në këto Lojëra Mesdhetare për ato federata sportive që duan të marrin pjesë.