AlbanianSport.com 09/11/2021 17:55
ASNN – Gjatë ceremonisë “IOC Golden Rings Awards” janë dhënë të hënën në mbrëmje dy çmime “Urdhëri Olimpik”. I pari i është dhënë edhe amerikanit Piter Dajamond, zëvendëspresident i “NBC Olympics”. Ndikimi i Dajamondit në lëvizjen olimpike vlerësohet shumë i madh, teksa ai është pjesë e rëndësishme e transmetuesit “NBC Olympics”. Për lëvizjen olimpike, sidomos atë në Kosovë, me shumë peshë vlerësohet edhe Besim Hasani, që ishte në krye të KOK-ut nga viti 1996 e deri në mars të këtij viti.
Pas marrjes së këtij Urdhëri, Hasani mbajti një fjalim të gjatë para dhjetëra të pranishmëve në ceremoninë e mbajtur në “Shtëpinë Olimpike”. “Jam shumë i nderuar, shumë i lumtur dhe krenar që kam pranuar çmimin më të lartë olimpik të IOC-së, – ka thënë ai fillimisht. – Është privilegj i madh për mua ta marr këtë çmim nga miku im Tomas Bah, kreu i IOC-së, i cili na ka përkrahur shumë gjatë rrugëtimit tonë. Kurrë nuk kam takuar një njeri si Bahu, i cili, kur ka premtuar diçka, e ka mbajtur fjalën. Po i përmendi 3 raste.”
“Ne kishim shumë vështirësi në shtetin tonë, por popullata jonë është shumë e re dhe pasioni për sport është i madh, – ka kujtuar Hasani. – Bahu na premtoi se një ditë nën presidencën e ti, do të bëjë të pamundurën që edhe sportistët e Kosovës të jenë të barabartë me të tjerët duke na pranuar në IOC. Falë tij, u bëmë anëtar të plotë të IOC-së dhe të barabartë me sportistët e tjerë. Premtimi i dytë ishte ta vizitojë Kosovën dhe erdhi për ta vizituar Kosovën, ku gjatë vizitës premtoi se nëse Kosova fiton medalje në Olimpiadë, atë do ta japë ai personalisht.”
“Edhe këtë premtim e mbajti. Këto ishin premtimet e tij, por edhe ne i premtuam mikut tonë të madh, – ka kujtur ish-kreu i KOK-ut. – Sportistët dhe trajnerët tanë i premtuan se kurrë nuk do ta zhgënjejmë. Shkuan në Lojërat Olimpike dhe fituan medalje. Ne po punojmë shumë që të jeni në mesin e 10 komiteteve më të mira olimpike në botë, pasi edhe këtë ia kemi premtuar Bahut.” Në mbyllje, Hasani ua ka kushtuar këtë çmim të gjithë sportistëve të Kosovës, duke thënë: “Besoj se në IOC e kanë parë që jemi në rrugë të mirë dhe më kanë nderuar me këtë çmim, të cilin ua dedikoj të gjithë sportistëve të Kosovës, trajnerëve dhe liderëve të sportit, që të punojnë me pasion për ta mbajtur premtimin që ia kemi dhënë mikut tonë të madh.”