AlbanianSport.com 05.03.2015 14:35
ASNN – Klubi i Futbollit “Flamurtari” ka denoncuar në Prokurori ndeshjen e luajtur të mërkurën në Durrës, midis Partizanit dhe vlonjatëve, që u fitua nga të kuqtë kryeqytetas. Po kështu, klubi kuqezi ka vënë në dijeni Komisionin e Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për zbardhjen e kësaj çështjeje.
Çështja e trukimeve vazhdon të shqetësojë futbollin shqiptar dhe është sërish skuadra e Flamurtarit që është në qendër të akuzave. Në një komunikatë për shtyp, Klubi i Futbollit “Flamurtari” ka denoncuar në Prokurori ndeshjen e luajtur të mërkurën në Durrës, midis Partizanit dhe vlonjatëve, që u fitua nga të kuqtë kryeqytetas.
“Duke marrë shkak nga ngjarjet e ndodhur në këtë ndeshje dhe duke patur dyshime të forta se kjo ndeshje ka qenë e trukuar nga disa futbollistë, Bordi Drejtues i “Flamurtarit”, i mbledhur të enjten, vendosi që të denoncojë në Prokurori ndeshjen Partizani-Flamurtari, duke i vënë në dispozicion prokurorisë të gjitha mjetet që Klubi disponon, si ato filmike, ashtu edhe analizën teknike”, – thuhet në komunikatën për shtyp të klubit vlonjat.
Në vijim, komunikata shton se ka vënë në dijeni Komisionin e Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për zbardhjen e kësaj çështjeje. Duke shprehur vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund zbardhjes së kësaj çështjeje, klubi vlonjat këmbëngul se asnjë individ apo grup individësh nuk mund të hedhë baltë mbi emrin e Flamurtarit dhe siguron se kushdo që do të rezultojë i përfshirë në këtë çështje nuk do të ketë më mundësi të jetë pjesë e futbollit shqiptar.