ASNN – Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, u shpreh i entuziazmuar nga fitorja e skuadrës së tij në duelin e së dielës ndaj Mançester Junajtid, duke i thurur lavde veçanërisht futbollistit shqiptar Xherdan Shaqiri, i cili realizoi dy supergola në fitoren 3-1 të Liverpulit.
“Të gjithë lojtarët bënë diferencën në fushë, – u shpreh Klop pas takimit, – nuk ke nevojë të shënosh për ta bërë këtë gjë.”
“Por, kur realizon gol, të ndihmon jashtëzakonisht shumë, sidomos kur je një lojtar sulmues, Shaqiri është një futbollist me aftësi të mrekullueshme, është mjaft i aftë për të krijuar raste dhe për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Jam shumë i kënaqur për fitoren dhe lojën e sotme”, – ka shtuar trajneri gjerman i skuadrës së Liverpulit, aktualisht mbajtës i kryesimit në Premier Ligën angleze.
Ndërkohë, vetë “Shak”-u tha pas ndeshjes që ishte i lumtur jo vetëm për golat që shënoi, por edhe për fitoren e ekipit dhe vendin e parë në renditje. “Është një ditë e përsosur për mua, – theksoi futbollisti shqiptar i përfaqësueses zvicerane, prej 5 muajsh pjesë e Liverpulit në Premier Ligë, – ky është fillimi më i mirë në historinë e klubit dhe ne do të përpiqemi të vazhdojmë në këtë mënyrë.”
“Nëse e bëjmë, këtë mendoj se do të kemi momente të mira në këtë sezon”, – ka përfunduar futbollistit shqiptar i Liverpulit Xherdan Shaqiri