AlbanianSport.com 27/08/2021 16:25
ASNN – Ish-kapitenia afgane: “Kemi nxjerrë deri në 4 mijë futbolliste me familjet e tyre nga vendi”. Khalida Popal, ish-kapitenia e ekipit afgan të futbollit të femrave, tashmë është drejtore e organizatës që po merret me evakuimin nga Afganistani drejt Danimarkës, të të gjitha lojtareve të kërcënuara nga talebanët. Ajo shprehet se do të vazhdojë luftën e saj për të drejtat e vajzave në vendin e saj të lindjes. Ekipi që Popali ndihmoi që ta ngrinte në 2007-ën, është i përbërë nga lojtare nga Afganistani, të cilat janë nën kërcënimin e hakmarrjes të atyre që kanë marrë tashmë drejtimin e vendit.
Kjo bazohet në kritikat dhe kërcënimet e shumta që vijnë nga persona të ndryshëm të regjimit taleban. E intervistuar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), 34-vjeçarja, trajnere e ekipit të futbollit të femrave në Afganistan tregon për fillimet e saj në futboll, në vendin e saj të lindjes. “Regjimi taleban më mori fëmijërinë, – kujton ajo. – Atëherë nuk isha në gjendje të shkoja në shkollë dhe nuk mund të merrja pjesë në asnjë aktivitet shoqëror. Dhe gjetëm një formë hakmarrjeje duke u marrë me futboll. Me këtë iu thonim talebanëve: Futbolli është mënyra se si ne duam të hakmerremi ndaj jush.”
Atëherë kanë qenë rreth 3 deri në 4,000 futbolliste femra të regjistruara në Federatën e Futbollit në nivele të ndryshme. “Kishim gjyqtare dhe trajnere femra, vazhdon më tej Popali. – Dhe arritjet tona në futboll kanë qenë të kënaqshme, por të gjitha këto u zhdukën, pas rënies së Kabulit dhe kjo është e trishtueshme”. Deri tani Khalida ka arritur të nxjerrë rreth 75 persona jashtë Afganistanit që përfshijnë lojtarë dhe familjet e tyre. Disa prej tyre janë lojtare të ekipit të parë. “Ne po përpiqemi të nxjerrim më shumë lojtare nga Afganistani, – shton ajo. – Dhe do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur kësaj.”
Më tej ajo tregon edhe një detaj, teksa thotë: “Talibanët kanë ndryshuar flamurin e Afganistanit, flamurin që ne e kemi mbajtur me krenari. Ne jemi ndjerë krenare që kemi luajtur për flamurin tonë. Tani krenaria jonë na është marrë dhe ata kanë sjellë flamurin e tyre të shtetit islamik. Ajo që kemi frikë ne është se bota, shumë shpejt do të fillojë të flasë për një temë tjetër dhe Afganistani do të harrohet. Ndërkohë që njerëzit aty do të jetojnë edhe njëherë në një kohë të errët. Dhe çfarëdo krize apo krimesh të ndodhin në Afganistan, askush nuk do të jetë në gjendje të tregojë.”
Në fund Khalida Popal, trajnerja 34-vjeçare e ekipit të futbollit të femrave në Afganistan bën një apel: “Kjo nuk është lufta e grave afgane. Kjo nuk është lufta ime. Kjo është një luftë e njerëzimit. Bëhuni bashkë me ne, bëhuni zëri i çdo gruaje afgane, që të realizojë ëndrrat e saj.”