AlbanianSport.com 19/01/2019 14:25
ASNN – Leo Mesi i pakapshëm, 3 gola më shumë se të gjithë rivalët për “Këpucën e Artë” të Evropës. Kur janë mbyllur gjysma e ndeshjeve në 5 ligat kryesore evropiane të futbollit (Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë), një lojtar po bën diferencën me golat e shënuar. Nuk kishte dyshime për emrin dhe, në fakt, është i njëjti pretendent prej shumë vitesh, Lionel Mesi.
Argjentinasi i Barcelonës ka realizuar 17 gola në 17 ndeshje të luajtura me skuadrën katalane dhe me këtë shifër ai mban vendin e parë si goleador i këtij sezoni, duke lënë pas vetes rivalët e tjerë që synojnë “Këpucën e Artë” të Evropës. Rivali i tij më i madh është Kristiano Ronaldo, që në 21 ndeshje me Juventusin ka shënuar 14 gola. Por me një shifër të tillë, pra 14 gola, ka shumë lojtarë aktualisht në ligat kryesore evropiane.
14 rrjeta ka realizuar edhe Luis Suarezi i Barcelonës, po ashtu edhe Herri Kejni i Totenhemit, Kilian Mbapeja i Paris SG-së, apo dhe Mohamed Salahu i Liverpulit. Ndryshimi është se 14 golat e tyre janë realizuar në të paktën 20 ndeshje të luajtura, kurse Mesi në vetëm 17 ndeshje, që do të thotë se është i vetmi aktualisht në Evropë (në 5 ligat kryesore) që ka koeficient 1 gol për ndeshje.
Në 10-shen e parë, i vetmi me 12 gola është Pako Alkaser i Borusias së Dortmundit që as i afrohet Mesit për numrin pasimeve për gol, sepse argjentinasi ka realizuar 12 të tilla, ndërsa rivali më i afërt është egjiptiani Salah me 7 të tilla.
10 golashënuesit më të mirë
evropianë të këtij sezoni
(në 5 ligat kryesore)
Nr. Futbollisti (Skuadra) Gola
- Lionel Mesi (Barcelona) 17
- Kristiano Ronaldo (Juventusi) 14
- Luis Suarez (Barcelona) 14
- Herri Kejn (Totenhemi) 14
- Kilian Mbape (Paris SG) 14.
- Mohamed Salah (Liverpuli) 14
- Pjer Obamejang (Arsenali) 14
- Kriztof Piatek (Xhenoa) 13
- Nikolas Pepe (Lilë) 13
- Pako Alkaser (Dortmund) 12