AlbanianSport.com 27/03/2019 16:15
ASNN – Maradona “eklipson” Mesin edhe në rrjetet sociale, sulmon Mario Kempesin dhe nxjerr foton e ikonave që ka mundur. Lionel Mesi është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, padyshim, madje “Pleshti” do të krahasohet me legjendat për këtë status si më i miri i historisë, përfshi Pelen dhe Maradonën. Ky i fundit duket se po e eklipson Mesin edhe në rrjetet sociale, pasi, edhe pse shumicën e kohës flet në “hava”, duket se për gazetarët është një “xhevahir” i vërtetë, pasi nxjerr nga goja “perla mediatike”.
Duke qenë se fama e tij është e papërsëritshme, pothuajse i adhuruar si Zot në Argjentinë për shkak të cilësive të tij si lojtar dhe trofeun e Kupës së Botës të vitit 1986 që ai thuajse e fitoi i vetëm, me të mirat dhe të këqijat e tij (kujtojmë golin me dorë të shënuar ndaj Anglisë), ai sërish cilësohet fenomenal dhe ndoshta më i miri që ka luajtur ndonjëherë futboll. Ish-trajneri i Lushnjës në vitin 1997, Mario Kempes, një ndër më të mëdhenjtë e Argjentinës së vitit 1978 ku fitoi titull botëror, e vuri në diskutim aftësinë e Maradonës krahasuar me Mesin.
Ai ka thënë se “Dora e Zotit” nuk kishte pasur rivalë shumë të fortë në karrierën e tij siç ka Mesi aktualisht. Duket qartë se Kempes gaboi, për më tepër ndaj ish-shokut të tij dhe njërit prej ikonave të futbollit botëror. Në Argjentinë, kushdo që kritikon Maradonën është i destinuar të kryqëzohet. Dhe për të “kryqëzuar” Kempesin mendoi vetë Maradona, i cili me një foto në rrjetin social “Instagram”, ku kishte përzgjedhur emrat e më të mëdhenjve të futbollit midis viteve 1982-1995. Ai i kthen përgjigje Kempesit në formë ironike:
“A nuk ishin kundërshtarë të denjë Marko Van Basteni, Rud Gulit, Karl-Hainc Rumenige, Lothar Mateusi, Mishel Platini, Kristo Stoiçkovi, Roberto Baxhio, etj? Dhe komentet në rrjetet sociale i japin të drejtë Maradonës. Ai i ka mundur të gjithë, madje dhe me një skuadër modeste si Napoli, që e mori nga hiçi dhe fitoi me të një trofe të UEFA-s. Kempesi duhet ta ketë kuptuar më në fund se çdo lloj lufte me Maradonën në rrjetet sociale dhe në median e shkruar e vizive është e humbur. Dhe humbjen e shkaton fama e pamasë që disponon i mbiquajturi “Dora e Zotit”.