Gjergj Vyshka 20.12.2015 08:55
Ponari këmbëngul për shitjen e produktit, por basketbolli ka mbetur në vendnumëro. Sërish përsëriten të njëjtat gjëra prej katër vjetësh nga presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, por duket se nuk po dëgjon më njeri, ndërsa absurdi ka qenë kërkesa e trajnerit të Vllaznisë, Gjeçaj, për shkrirjen e shoqatave dhe kthimin e tyre në klube sportive. Federata Shqiptare e Basketbollit në ambientet e hotel “Sky Touer” ka bërë një tryezë të rrumbullakët me të gjithë aktorët e saj, e cila mund të konsiderohet edhe si një asamble të zakonshme.
Përkrah presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, dhe Sekretarit të Përgjithshëm, Korab Llazani, kanë qenë edhe anëtarët e kryesisë që nga Vaso Shaka, Bashkim Milo, Artan Terihati, pa thënë që kanë qenë të pranishëm një shumicë e shoqatave anëtare të këtij institucioni. Sikurse edhe gjyqtarët Gentian Cici, Adrian Dulçe, Ylli Harasani, Olti Kasmi, Hans Trajer e Sajmir Tafilica, që në fakt ka shërbyer edhe si fotograf për institucionin më të lartë të koshit shqiptar, i cili fotot e këtij takimi i ka nxjerrë menjëherë në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”.
Çfarë vihet re? Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka ripërsëritur ndoshta për herë të katërt tendencën që duhet të kenë shoqatat për shitjen e produktit të basketbollit. Por që duket se ka rënë në vesh të shurdhët, madje ka ardhur dhe një kërkesë absurde nga trajneri i Vllaznisë në basketboll për meshkuj, Bledar Gjeçaj, të paktën kështu e kanë cilësuar të gjithë, për shkrirjen e shoqatave dhe kthimin në klube sportive sepse vetëm kështu do të mund të kenë lehtësira nga Bashkitë për shfrytëzimin e sallave sportive.
Gjë që në fakt një pjesë e mirë e klubeve të rretheve e kanë falas jo vetëm për stërvitje, por dhe për ndeshje. Dhe kur ka ardhur puna për ekipet kombëtare i pari i basketbollit shqiptar ka premtuar që sivjet do të jenë shtatë ekipe pjesëmarrëse në arenën ndërkombëtare. Sepse përveç ekipeve të moshave Nën-16-vjeç, vajza e djem, Nën-18-vjeç vajza e djem dhe Nën-20-vjeç djem do të jenë edhe ekipet e të rriturave dhe të rriturve. “E që të gjitha këto ekipe të marrin pjesë në arenën ndërkombëtare duhen të paktën 500 milion lekë”, – ka zbuluar kreu i organizmit që qeveris basketbollin shqiptar.
“Ne shteti na jep vetëm 60 mijë euro, të cilat shkojnë për gjyqtarët, ja dhe 50 mijë që mund të vijnë nga pagesa të tjera dhe kaq, – ka vijuar ai. – Po të tjerat? Mos harroni që nga FIBA vjet janë dhënë 5000 euro, që në fakt shkon në 25,000 euro për pjesëmarrjen e ekipeve tona. Por që ka një lehtësi sepse gjysmën e paguan vendi pritës dhe gjysmën ato që ikin. Problemi është që ne duhet të shesim produktin, të rrisim infrastrukturën, sepse vetëm kështu do të kemi basketboll cilësor. Mos harroni që vetë bashkitë do të kenë interes për basketbollin.”
“Kështu, nëse Fieri e ka hequr Apoloninë, po vetë do të kujtohet vitin e ardhshëm për ta patur. E rëndësishme është që ne të kemi një vazhdimësi me ekipet kombëtare dhe më pas produkti do të shitet nga të gjithë ne. Federata nuk është vetëm e imja, e Korabit, apo e anëtarëve të kryesisë, por e të gjithë juve. Të konsiderohemi si një familje e kush ka mëdyshje mund të vijë të kontrollojë çdo detaj financiar, sepse ndryshe nga të tjerët ne nuk kemi borxhe. Dhe kjo është shumë e rëndësishme”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.