Nga Altin B. Kodra (ASNN) 28.12.2014 21:40
Përkundër skepticizmit që shoqëron ndryshimin, formula e re e organizimit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e sidomos ajo e Kategorisë Superiore, që është rikthyer tek formati me 10 skuadra dhe me 4 faza, ka rezultuar mjaft e frytshme, duke i dhënë jetë një konkurrence të fortë dhe gare mjaft interesante, me shumë aktorë në luftë për trofeun e madh, për vendet që të çojnë në Kupat e Evropës, por edhe për mbijetesën.
Me fituesen e kurorës së madhe që shkon në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, me vendin e dytë dhe të tretë dhe, në varësi të fitueses së Kupës, edhe vendin e katërt që sigurojnë pjesëmarrjen në turet eliminatore të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, dhe me dy skuadrat që bien nga Kategoria Superiore në atë Të Parën, e përmbledhur kjo në një numër të kufizuar skuadrash, 10, ky sezon ka ofruar, si rrallëherë këto vitet e fundit, një spektakël të vërtetë.
Duke i shtuar këtij ekuacioni edhe faktin se nga këto 10 skuadra, 8 prej tyre janë në çerekfinale të veprimtarisë së dytë të futbollit në vend, Kupës së Shqipërisë, atëherë të panjohurat e këtij sezoni futbollistik bëhen edhe më të pazgjidhshme.
Vetë fakti se, në përfundim të gjysmës së rrugëtimit të kampionatit të këtij sezoni, janë 4 skuadrat që janë përfshirë direkt në betejën për titull, vetëm 13 pikë ndajnë vendin e 7-të nga vendi i parë dhe 15 pikë ndajnë midis tyre 6 skuadrat e gjysmës së poshtme të renditjes, është dëshmi e asaj që kjo formulë ka funksionuar dhe se përzgjedhja e saj ka qenë një vendim i duhur.