AlbanianSport.com 05/01/2019 21:45
ASNN – Më kollaj shkohet në hënë se shpëtohet Kastrioti nga rënia, por për Bledar Devollin “e pamundura” nuk ekziston. Kastrioti ndodhet në vendin e fundit të renditjes, me 10 pikë në 18 ndeshje, duke qenë skuadra më e ekspozuar për të rënë nga kategoria. Këtë e dëshmon jo vetëm pozita në klasifikim, por njëherësh edhe dobësia e grupit, si nga emrat përbërës, ashtu dhe nga lëvizjet që kanë drejtim vetëm “dalje”.
E megjithatë, kur të gjithë besojnë se më lehtë shkohet në hënë sesa shpëtohet Kastrioti nga rënia, është dikush që beson se s’ka asgjë të pamundur. Ai është Bledar Devolli, i cili pranoi të shtunën të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës krutane. Nuk do të jetë aspak e lehtë, edhe ai e di këtë, por entuziazmi duket se po e ndihmon t’i hyjë një aventure mjaft të rrezikshme.
Megjithatë, Devolli nuk ka çfarë humbet dhe do të përpiqet të bëjë më të mirën e tij, duke shpresuar të mbajë Kastriotin në Superiore. Gjirokastriti do të jetë trajneri i tretë i skuadrës krutane në këtë sezon, pas Elvis Plorit dhe Stavri Nicës, të cilët e drejtuan secili nga një fazë ekipin krutan. Megjithatë, Devolli do të gjejë në Krujë një skuadër që ka emrin e fortë, por grupin të sakatuar.
E ndërsa Devolli po synon t’i ngjajë Skënderbeut në Krujë, mësohet se ka shkuar në 11 numri i largimeve nga Kastrioti në këtë merkato janari. I fundit që braktisi Krujën është mbrojtësi malazez, Nikola Stijepoviç, i cili një vit më parë doli kampion me Sutjeskën në kampionatin elitar malazez. Të tjera largime po bëhen gati, kështu që Devolli ka gjasa të gjejë në Krujë një ekip pa futbollistë.