AlbanianSport.com 06.11.2014 20:50
ASNN – Vllaznia ka arritur të ndalë serinë negative prej 6 humbjesh radhazi me fitoren që ka arritur pasditen e djeshme ndaj Kastriotit në Krujë, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Ajo ka fituar me rezultatin 4-0, duke siguruar kualifikimin për në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë që pas këtij takimi.
Trajneri Baldo Raineri ka hedhur në fushë thuajse gjysmën e titullarëve duke aktivizuar në vend të tyre ata që kanë luajtur më pak në kampionat. Përveç tyre ka rënë në sy edhe mesfushori i ardhur nga ekipi i Nën-19-vjeçarëve të Akademisë “Vllaznia”, Krymi, i cili ka bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë në këtë debutim të tij me ekipin e parë.
Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 22-të pas ekzekutimit të përkryer të një goditjeje dënimi nga ana e Gocajt. Më pas do ishte radha e sulmuesit Soza për të shënuar një dygolësh gjatë kësaj pjese. Në të dytën do të kishte edhe një gol tjetër me anë të mbrojtësit Kraja dhe përfundimisht 4-0 për Vllazninë, e cila siguron kalimin në çerekfinale, ku, sipas të gjitha gjasave, do të ndeshet me Kukësin.
Kastrioti – Vllaznia 0-4
Shënues: Gocaj 22’, Soza 27’, 44’, Kraja 69’
Kastrioti: Çali (Selaci 46’), Caca (Kule 46’), Hoxha, Ndoni, Stafa, Rroshi, Shkreta, Kehinde, Shaba, Bakiu (Pengili 46’), Grabova. Trajner: Sh. Rustami
Vllaznia: Selimaj, Pjeshka (Vecaj 69’), Kraja, Sykaj, Baçi, Dema, Krymi, Gocaj, Kalaja (Markolaj 82’), Soza (Çiofi 64’), Hajdari. Trajner: B. Raineri
Gjyqtarë: J. Xhaja, A. Shkreta, E. Potomi (Tiranë)