Nderim Goci (Krujë) 30.11.2014 12:35
ASNN – Duke folur pas barazimit 1-1 me Veleçikun, trajner i Kastriotit, Alert Alcani, ka shprehur keqardhjen për marrjen e një pike të vetme. “Ishte një ndeshje e komanduar nga ana jonë, – ka thënë ai. – Ky është futbolli që mund të ndëshkohesh dhe aty ku nuk e pret.”
“Në realitet, ndeshjen e nisëm mjaft mirë, duke e kontrolluar lojën në të gjithë hapësirën e saj, – ka vijuar trajneri i skuadrës krutane. – Por sulmuesit nuk ishin në ditën e tyre të mirë, duke humbur shumë raste për shënim. Humbëm një 3-pikësh, çka mund të na mundësonte të ngjisnim shkallët e renditjes.”
“Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës, pasi kalendari na rezervon përballje mjaft të vështira”, – ka përfunduar trajner i Kastriotit, Alert Alcani. Ndërsa trajneri i Veleçikut, Besnik Dule, theksoi: “Ishte një ndeshje që kishte tre rezultatet brenda.”
“Për hir të realitetit skuadra zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë, – ka vijuar kreu i pankinës së skuadrës koplikase. – Morëm një barazim ndaj një skuadre që vjen nga kampionati i Superiores. Pika e marrë në fushën e vështirë të Krujës do të na motivojë për ecurinë e mëtejshme.”