Nderim Goci (Krujë) 10.09.2015 09:20
ASNN – Ashtu siç njoftua një ditë më parë, seancën e djeshme stërvitore, skuadra krutane e zhvilloi në stadiumin e qytetit të Krujës. E veçanta e kësaj seance ishte se, pas tri vitesh, me skuadrën u bashkua dhe mesfushori, i njohur nga kryeqyteti, Enkel Alikaj.
Ndërkohë, për rreth 90 minuta, skuadra iu nënshtrua zhvillimit të ndeshjes testuese brenda grupit. Fillimisht trajneri Plori improvizoi zhvillimin e një ndeshjeje mes formacionit të parë dhe atij të dytë. Më pas, me kalimin e minutave, formacionet pësuan ndryshime.
Në prag të ndeshjes së parë, skuadra që do të zhvillojë ndaj Erzenit, Kastrioti paraqet një gjendje mjaft të mirë. Një psikozë të tillë e përforcon dhe ndihmësi i trajnerit Elvis Plori, Gëzim Rama. “Skuadra nga dita në ditë sa vjen dhe po harmonizohet”, – ka thënë ish-futbollisti i Kastriotit vite më parë.
“Dhe në ndeshjen testuese të zhvilluar sot (dje), futbollistët demonstruan nivel të kënaqshëm, – ka shtuar ai. – Jam i bindur se, në ndeshjen ndaj Erzenit, skuadra jo vetëm do ta thotë mirë fjalën e saj, por do ta nisë me fitore kampionatin.” Sot paradite, skuadra krutane do t’u rikthehet seancave stërvitore, në Pezë-Helmës, në periferi të kryeqytetit.