AlbanianSport.com 14.09.2016 08:25
ASNN – Edhe pse ka vetëm dy javë që nga koha kur Kastrioti ka nisur përgatitjet duket se drejtuesit krutanë e kanë marrë seriozisht formimin e një ekipi konkurrent për në Kategorinë Superiore, pasi kanë bërë disa lëvizje të mira në merkato, teksa kanë afruar elementë cilësorë si Hoxha, Lila, Sala, Lilaj, Marku, Manuka, portierin Çali dhe Karakaçin.
Por merkatoja nuk do të mbyllet me kaq. Në Krujë presin edhe një qendërmbrojtës dhe ai është shkodrani Arsen Sykaj, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë e Besëlidhjes, rivale e Kastriotit. Për 26-vjeçarin, ky do të jetë një rikthim në Krujë, pasi në sezonin 2012-2013 shkodrani ka qenë pjesë e Kastriotit në Superiore duke luajtur 22 ndeshje si titullar gjatë të cilave ka shënuar edhe një gol.
Sykaj është formuar si lojtar te Vllaznia, aty ku ai ka luajtur për pesë sezone në Superiore. Një tjetër afrim është edhe ai i portierit Elidon Selaci, i cili që dje i është bashkuar skuadrës së Deliut. Stafi teknik ka programuar një takim miqësor me skuadrën e Sopotit të Librazhdit. Ndeshja do të luhet sot në Krujë, në orën 15:00 në stadiumin “Kastrioti”. Kjo është miqësorja e tretë për krutanët, të cilët më parë janë përballur me Tërbunin dhe Shënkollin, duke fituar të parën dhe barazuar të dytë