AlbanianSport.com 26/11/2017 15:55
ASNN – Në takimin që mbylli javën e 9-të të Kategorisë së Parë, Kastrioti ka mundur 3-1 Erzenin dhe e ka mbyllur fazën e parë i shkëputur në krye të renditjes, me 23 pikë. Ky takim, që u luajt pasdreke dhe ishte i vlefshëm për grupin A, ka ardhur të dielën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Kastrioti ka korrur të dielën fitoren e tij të 7-të në këto 9 javë të fazës së parë të nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, duke mundur Erzenin me shifrat 3-1 dhe duke ruajtur vendin e parë, i shkëputur në krye të renditjes, me 23 pikë.
Në fakt, sfida e gjykuar me kompetencë nga gjyqtari premtues, Orlando Kuka, ka folur më tepër për vendasit, të cilëve vetëm gardiani i portës shijakase, Mario Dajsinani, duket se i ka mohuar golin. Por dalja e tij nga loja për shkak të një dëmtimi, pas një gjysmë ore, duket se ia ka bërë më të lehtë punën krutanëve, të cilët gjejnë menjëherë golin me një aksion të bukur, të finalizuar nga Marku. Goli u ka dhënë edhe më tepër zemër vendasve, të cilët, në çerekorën e mbetur të lojës do ta synojnë edhe më tepër kuadratin e të sapofuturit Gjuzi.
Këtë të fundit madje e shpëton në një rast edhe shtylla e majtë pingule e portës. Me epërsinë njëgolëshe të Kastriotit do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, vendasit do të gjejnë edhe dy gola të tjerë. Fillimisht është Çutra ai që godet mjeshtërisht brenda zone në minutën e 56-të dhe mposht Gjuzin. 11 minuta më pas është Çela ai që gjen për herë të 3-të rrugën e rrjetës për vendasit, pas një goditjeje këndi. Megjithatë, në minutën e dytë shtesë, Erzeni do ta gjejë golin e ngushëllimit, me atë të Lalës.
Përfundimisht Kastrioti fiton 3-1 ndaj Erzenit dhe e mbyll fazën e parë si kryesues bindës i grupit A të Kategorisë së Parë.