AlbanianSport.com 21/10/2018 20:35
ASNN – Trajneri i emergjencave Stavri Nica pritet të marrë drejtimin e Kastriotit, prezantimi të hënën. Edhe pse klubi nuk ka saktësuar detaje rreth kësaj çështje, ai nuk e ka mohuar lëvizjen. Ardhja e Nicës vjen në një moment të vështirë për Kastriotin, pasi skuadra krutane ndodhet në vendin e fundit pas nëntë javësh garë, me vetëm katër pikë të grumbulluara.
Duhet thënë se skuadra nuk është kaq e dobët, madje ka pasur ndeshje ku ka luajtur shumë mirë, por ky ekip në ndonjë moment ka qenë i pafat për të marrë pikë, sikurse ndodhi në duelin me Lacin. Trajneri i mëparshëm, Elvis Plori, dha dorëheqjen, duke u hapur rrugën ndryshimeve, me idenë se një trajner tjetër mund të sillte një frymë të re pozitive.
Nica është trajner me përvojë në të gjitha nivelet e Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe për emergjenca të tilla ka dëshmuar se di të manovrojë. Por edhe veterani Nica ka problemet e tij, pasi ndodh që të mos ngurrojë ta braktisë skuadrën kur sheh që nuk i shkojnë si duhet planet, siç ndodhi para dy javësh kur braktisi Burrelin në mënyrë demonstrative.