ASNN – Nëse ka një skuadër që ka surprizuar plotësisht në këto 4 javë të para të fazës së tretë të Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, padyshim është Kastrioti. Janë shifrat që flasin më mirë se çdo gjë tjetër, pasi në katër javët e fundit skuadra krutane ka korrur 3 fitore me vlerë totale 9 pikë. Në fund të fazës së dytë, Kastrioti renditej i fundit, me vetëm 10 pikë, i pashpresë dhe i konsideruar edhe si “favorit” për të rënë nga kategoria. Kur janë luajtur vetëm 4 javë nga faza e tretë, nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli, Kastrioti ka tani 19 pikë, në vend të parafundit, duke lënë pas Kamzën me 16 pikë.
Jo vetëm kaq, Luftëtari që është para tij në renditje ka 22 pikë, pra një fitore larg, ndërsa Tirana 25 pikë, pra vetëm 6 pikë larg. Nëse Kastrioti i fiton duelet direkte me ta, atëherë ia del të mbijetojë në Superiore dhe fitoret e fundit i bëjnë ekipet që ta marrin seriozisht skuadrën krutane. Vetëm Tirana me 11 pikë në 5 ndeshjet e fundit, dhe Partizani me 10 pikë, janë më mirë se krutanët sa i takon trendit të rezultateve. Ka një rënie të dukshme Kukësi dhe një stabilitet Teuta dhe Luftëtari, ndërsa Skënderbeu iu kthye “avazit” me humbjen e radhës, duke dëshmuar se tani nuk e merr askush seriozisht ekipin korçar.
Padyshim, Kamza, me vetëm 4 pikë në 5 ndeshjet e fundit, si dhe Flamurtari e Laçi që kanë grumbulluar vetëm 5 pikë në 5 takimet e fundit, janë ekipet me prirjen më të keqe të rezultateve në ndeshjet e para të fazës së tretë. Nisur nga këto të dhëna, mund të duket e pashjegueshme, Kastrioti shpëton nga rënia një kategori më poshtë. Nën drejtimin e Bledar Devollit ekipi krutan po ua sjell ngushtë edhe ekipeve pretendente për titull. E thënë ndryshe, gara për objektivat sezonalë është e hapur në krye dhe në fund të tabelës.