Nderim Goci (Krujë) 22.11.2014 14:05
Fitorja e arritur ndaj matjanëve, shto këtu dhe barazimin e arritur ndaj Vllaznisë në mesjavë për Kupën e Shqipërisë, ka sjellë tjetër klimë optimiste, në radhët e sportdashësve vendas. “Situata në skuadër është mjaft e mirë, – ka deklaruar zëvendës-trajneri i skuadrës krutane, Dashnor Hasani. – Futbollistët janë përgatitur seriozisht për të përballuar me sukses ndeshjen e së shtunës.”
“Barazimin e arritur në Kupë ndaj Vllaznisë e konsiderojmë rezultat pozitiv. Skuadra ka një gjendje mjaft të mirë psikologjike, çka shton premisat për arritjen e rezultatit pozitiv”, – ka shtuar ai. Zhvillimi i ndeshjes në një fushë asnjanëse, për formacionin krutan, konsiderohet epërsi, por ndihmësi i Alcanit, Hasani, pohon se ndaj skuadrave të ashtuquajtura të vogla, duhet një kujdes maksimal.
“Ndeshjen ndaj velipojakëve e konsiderojmë mjaft të fortë, por ne kemi synime të qarta, ndaj tyre, që është marrja e tre pikëve ndaj tyre. Kjo nuk do të thotë që ne të hyjmë në fushën e lojës, me mendjen që ndeshjen e kemi të fituar, por të luftojmë nga minuta e parë, ndryshe e kemi të humbur betejën”, – ka përfundoj Dashnor Hasani, ish-portieri i skuadrës krutane të viteve 1990-të, sot në rolin e ndihmës-trajnerit.