AlbanianSport.com 02/06/2020 19:25
ASNN – Kreu i mjekëve të futbollit në Itali, Enriko Kastelaçi, ka thënë se periudha e karantinës duhet të përgjysmohet për ata që rezultojnë pozitiv me virus korona dhe është kundër hapjes së stadiumeve për tifozët. Seria A do të rifillojë më 20 qershor, ndërsa ish-mjeku i përfaqësueses së Italisë ka thënë se është vendim i duhur për t’i ofruar futbollit mundësitë e njëjta si pjesës tjetër të shoqërisë.
“Rifillimi i Serisë A është një fitore e madhe, – ka thënë ai për të përditshmen sportive italiane, “Corriere dello Sport – Stadio”. – Meritat më të mëdha shkojnë për Federatën Italiane të Futbollit, që nuk është ndalur te problemet e para dhe mureve që kanë ngritur politikanët në muajt e fundit. Bota po rifillon të funksionojë, kafenetë po mbushen, dyqanet po rihapen, po ka gjallëri në rrugë.”
“Më duket e duhur për mua që një industri si futbolli të ketë mundësitë e njëjta”, ka shtuar Kastelaçi. Mirëpo, ai është i shqetësuar për rrezikun e madh se mund të mos përmbyllet kampionati bazuar në protokollin aktual. “Nëse të gjithë kanë zgjedhur të shkojnë para, siç duket, atëherë pse të mos mendojmë reduktimin e karantinës në shtatë ditë? – shtron pyetjen mjeku i njohur. – Vetëm në këtë mënyrë, kampionati ecën para.”
“14 ditët janë tepër, dhe rregulloret e Ministrisë së Shëndetësisë datojnë nga 21 shkurti 2020, – vijon ai. – Ndërkohë, realiteti ka ndryshuar.” Kastelaçi thekson gjithashtu se publiku duhet të presë për t’u kthyer në tribuna, dhe është skeptik për të lejuar njerëzit në stadiume në Itali, edhe me kapacitet të reduktuar. “Për momentin, e shoh të vështirë”, – ka thënë mjeku italian.
“Nëse ka detyrim për të karantinuar 300 persona nëse ka vetëm një rast me COVID-19, atëherë çfarë do të ndodhte nëse publiku futet në infrastrukturë. Të bëjmë nga një hap me kohën”, – ka përfunduar kreu i mjekëve të futbollit në Itali, Enriko Kastelaçi, duke folur për të përditshmen sportive italiane, “Corriere dello Sport – Stadio”.