Gjergj Vyshka 01.03.2016 10:45
Fundjavën e kaluar, kombëtarja e Shqipërisë në karate ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua në Stamboll të Turqisë. Sipas informacionit që ka dhënë për Sport Ekspres Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Karatesë, Erikela Ismailgeci, Në këtë Ballkaniadë të rriturish Shqipëria është përfaqësuar nga Halil Marqeshi (pesha 67 kg), Xhino Toli (pesha 67 kg), Rajli Muçollari (pesha 75 kg), Spajdi Selamaj (pesha 75 kg), Kelion Panxha (pesha +84 kg).
Gjithsej kanë qenë pjesëmarrës 11 shtete, atje ku përveç Shqipërisë dhe Turqisë kanë marrë pjesë Serbia, Maqedonia, Sllovenia, Mali i Zi, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Rumania dhe Kosova. Të 11 këto shtete pjesëmarrëse kanë sjell në këtë ballkaniadë 260 sportistë, ndërsa delegacioni shqiptar ka qenë i kryesuar nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba, si dhe Drejtori Teknik, Florian Muça. Në rolin e trajnerit ka qenë Ramiz Ismailgeci.
Ndërkohë, duke mbetur tek konkurrimi, i pari në garë ka qenë Kelion Panxha në kategorinë e peshës trupore mbi 84 kg, i cili, në turin e parë, ka fituar 2-0 ndaj një karateisti bullgar e më pas është eliminuar nga një serb, teksa ka humbur 1-2. Më tej, në kategorinë e peshës trupore deri në 67 kg, Halil Marqeshi, edhe pse ka dalë barazim 0-0 me kosovarin Astrit Halimi, është eliminuar për shkak të disa vërejtjeve nga gjyqtarët.
Ndërkohë Xhino Toli, po në kategorinë e peshës trupore deri në 67 kg, është mundur 5-4 nga slloveni Rajliç Mlladen. Dhe është eliminuar, edhe pse më parë kryesonte 4-0. Në kategorinë e peshës trupore deri në 75 kg, Spajdi Selamaj është mundur 0-3 nga kundërshtari i tij në një ndeshje jo të mirë. Dhe, së fundi, Rajli Muçollari ka fituar fillimisht 7-0 ndaj një kundërshtari rumun, por më pas është mundur 5-6 nga maqedonasi Ivo Cvetkovski.