Gjergj Vyshka 04.04.2016 09:45
Pas xhudos, tashmë është karateja shqiptare, e cila ka përfunduar kursin e trajnerëve me ndihmën e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe solidaritetit olimpik. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba, në këtë kurs kanë marrë pjesë 30 trajnerë, të gjithë anëtarë të këtij institucioni sportiv.
Në këtë kurs, i cili ka qenë teoriko-praktik dhe është zhvilluar në dy ditë, janë trajtuar temat “Ligji i Sportit në Shqipëri”, “Teknologjia e informacionit në Shqipëri”, “Stërvitshmëria dhe periodizimi”, “Fëmijët dhe stërvitja”, “Rregullat e garave nga Federata Botërore e Karatesë” dhe “Portofoli i trajnerit dhe rëndësia e administrimit të saj”. E lektorë të këtij kursi kanë qenë Franc Terihati, i cili është pjesë e Gjykatës së Këshillit të Arbitrazhit Sportiv, si dhe tre gjyqtarë nga Kosova.
Në përfundim të kursit, që është zhvilluar në qendrën “Smart” pranë Qytetit Studenti, të 30 trajnerët kanë marrë certifikatën e pjesëmarrjes. “Jam i bindur që ky kurs i parë i këtij niveli do t’i shërbejë rritjes cilësore të trajningut për të cilin unë mendoj se do të jetë i pranishëm që në kampionatin e të rriturve, që do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në Shkodër”, – ka përfunduar Baba.