Gjergj Vyshka 27.10.2015 11:15
Tergid Tato, një karateist që ka vetëm gjashtë muaj që e ka nisur këtë sport dhe që stërvitet nga një mjeshtër si Parid Dule, në daljen e tij të parë në arenën ndërkombëtare ka ardhur me medalje. E jo dosido, por medalje ari, ndërsa ka qenë pjesëmarrës në turneun tradicional ndërkombëtar në Tetovë, atje ku kanë marrë pjesë 420 karateistë nga të gjitha moshat.
Dhe Tergid Tato, karateisti i peshës deri në 40 kg, ka bërë tre ndeshje të shkëlqyera dhe la mbresa të jashtëzakonshme tek publiku maqedonas. Sipas trajnerit të tij, Parid Dule, “për mua la mbresa si trajner sidomos në ndeshjen e fundit, të cilën e ka zhvilluar me shumë rivalitet dhe shpirt gare. Dhe për asnjë çast nuk u dorëzua, ndërsa e ktheu rezultatin në favorin e vet.”
“Për rrjedhojë u shpall fitues i medaljes së artë ose “kampion” në atë turne”, – ka përfunduar ai. Dhe duket se duket se karateja shqiptare vijon të prodhojë talente. Një prej të cilëve është Tergid Tato, i cili që në hapat e tij të para me medaljen e artë të fituar në Tetovë duket se ka gjasa për të dhënë kënaqësi të mëdha për këtë sport në arenën ndërkombëtar.