Gjergj Vyshka 20.10.2014 18:05
Herolind Nishevci ka sjellë medalje nga Kampionati Ballkanik i të rriturve, i cili në fundjavë është zhvilluar në Ohër të Maqedonisë. Shqipëria, të paktën edhe sipas informacionit që ka sjellë Federata Shqiptare e Karatesë, ka marrë pjesë me tetë sportistë, të cilët janë: Orges Arifi (pesha -60 kg), Halil Marqeshi (pesha -67 kg), Xhino Toli (pesha -67 kg), Spajdi Selmanaj (pesha -75 kg), Marios Ndoji (pesha 75 kg), Alvin Karaqi (pesha -84 kg), Kelion Panxha (pesha +84 kg) dhe Herolind Nishevci (pesha +84 kg).
Në këtë veprimtari, përveç Shqipërisë, kanë marrë pjesë dhe Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi. Në përfundim të këtij aktiviteti, Shqipëria ka marrë një medalje, që është e bronzta e Nishevcit, ndërsa paraqitje të mirë kanë bërë dhe Karaqi e Toli, që për fatin e tyre të keq nuk kanë hyrë në zonën e medaljeve. Ndërkohë në këtë veprimtari kanë gjykuar edhe gjyqtarët shqiptar Dritan Sulaj, Luftar Kurti, Ardian Muhadri, Besim Ilazi dhe Besart Vitia. Ekipi u shoqërua nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba.
Jo vetëm kaq, por dhe drejtori teknik Ramiz Ismailgeci, sikurse dhe zëvendëspresidenti i Federatës Ballkanike, Parid Dule. Por pjesë e kuqezinjve kanë qenë edhe Erblin Kacnia dhe Durim Koçi. Ndërkohë që veprimtaria e radhës e kuqezinjve do të jetë pjesëmarrja në Kampionatin Botëror të Të Rriturve, i cili do të zhvillohet në Bremen të Gjermanisë, nga data 3, deri më 9 nëntor 2014. Në këtë Botëror, Shqipëria do të përfaqësohet nga 4 sportistë meshkuj, e më konkretisht Orges Arifi, Xhino Toli, Alvin Karaqi dhe Herolind Nishevci.