Gjergj Vyshka 21.12.2015 20:45
Federata Shqiptare e Karatesë ka bërë analizën e saj vjetore në të cilën, të paktën edhe sipas sekretares së përgjithshme, Erikela Ismailgecaj, kanë marrë pjesë 22-23 delegatë të mandatuar nga klubet. Në të ka marrë pjesë edhe Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili ka premtuar mbështetjen e tij për këtë sport.
Madje Federata Shqiptare e Karatesë ka dërguar emrin e Halil Marqeshit për bursë olimpike nisur edhe nga rezultatet e medaljet që ka marrë në arenën ndërkombëtare. Presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Baba, ka mbajtur raportin e veprimtarive dhe atë financiar, i cili në fund është miratuar me unanimitet të plotë.
Ndërkohë Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen në aktivitetet ballkanike, evropiane dhe botërore duke premtuar se do të ketë edhe medalje. Dhe veprimtaria e parë është më 27 dhe 28 shkurt 2016 në Turqi. Kësisoj karateja ka mbyllur vitin 2015 me analizën vjetore, që ka nxjerrë në pah anët pozitive të këtij sporti…