AlbanianSport.com 05/05/2018 13:15
ASNN – Edicioni i 23-të i Kampionatit Ballkanik të Karatesë për fëmijë, që javën e kaluar u zhvillua në Beograd, ka sjellë medalje të artë për Lushnjën. Gjithçka ka ardhur nga 13-vjeçarja Ermelinda Kadiu, e cila është pjesë e ekipit “Bijtë e Shqipes”, ndërsa në finale ka dalë fituese ndaj kundërshtarit nga Bosnje-Hercegovina.
Ermelinda Kadiu shprehet e lumtur që ka arritur të ngrejë flamurin shqiptar ndër 800 sportistë nga rajoni në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. “Ndihem shumë e emocionuar për këtë çmim dhe shumë krenare sepse kam nderuar familjen time dhe veçanërisht profesorin tim Lirim Dedej”, – ka thënë ajo.
“Ishte një sfidë e vështirë sepse në finale isha me një boshnjake dhe aty m’u duk e vështirë ndeshja”, – shtoi Kadiu. Trajneri i ”Bijtë e shqipes”, njëkohësisht trajneri i kombëtares shqiptare për këtë kategori grupmoshash, Lirim Dedej, ndër të tjera shprehet se marrja e këtij titulli është rezultat i punës 5-vjeçare me këto mosha.
“Kjo është arritje, nuk është një rastësi, është një punë 5-vjeçare. Kemi punuar për projektin dhe e arritëm”, thotë Dedej. Me këtë rast në Shkollën e Mesme të Bashkuar Dushk, atje ku Ermelinda është nxënëse është zhvilluar një pritje e ngrohtë nga mësuesit për suksesin e saj, ndërsa është nderuar dhe me certifikatë Mirënjohje.