Gjergj Vyshka 05.10.2015 10:25
Elbasani është fituesi i Kupës së Shqipërisë në karate për të rritur, që dje është zhvilluar në Sallën Sportive në Bathore. Në fakt, të paktën edhe sipas burimeve që vijnë nga Federata Shqiptare e Karatesë, kjo veprimtari ka qenë i parashikuar për t’u zhvilluar në Elbasan. Por meqë qyteti është i bllokuar për shkak të ndeshjes së kombëtares sonë në “Elbasan Arena” me Serbinë, të enjten më 8 tetor, atëherë kjo veprimtari u zhvendos në Bathore.
Kjo edhe me dashamirësinë e trajnerit të Kamzës, Luan Kurti, por dhe të trajnerit të Kamza Basket, Adem Muhametaj. Në këtë veprimtari kanë marrë pjesë gati 15 ekipe, të paktën kjo edhe sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” drejtori teknik i Federatës Shqiptare të Karatesë, Ramiz Ismailgecaj. Dhe ekipet që u përfaqësuan në këtë Kupë të Shqipërisë në Karate ishin si vijon:
Elbasani, Kamza, Partizani, Tirana, “Kristaq Rama”, “Bijtë e Shqipes Lushnjë”, Shotokan Akademi, Energia Karate, Tomori, Ballkan Shitokai Karate, Fight Klub Egnatia, Besëlidhja, Flamurtari dhe Imperial Karate. Për t’u evidentuar është fakti se pas Elbasanit janë renditur “Bijtë e Shqipes” në Lushnjë në vendin e dytë dhe Kamza Karate. Karateistët që u paraqitën më mirë në këtë veprimtari janë Abdulla Backa, Halil Marqeshi, Spajdi Selamaj, Sonia Bajramja, Elisabeta Çakalli dhe Hejda Backa.
Veprimtaria e radhës e karatesë është Kampionati Mbarëkombëtar, që do të mbahet më 15 nëntor 2015 në Vlorë. Kurse ndërkombëtar është Kampionati Ballkanik i Të Rinjve. Në përgjithësi kanë marrë pjesë 170 karateistë të të gjitha moshave, ndërsa veprimtaria ka zgjatur për gati shtatë orë e gjysmë. Ka nisur në ora 09:00 e ka përfunduar në ora 16:30. Në përfundim të gjitha skuadrave u është uruar suksese për të ardhmen nga presidenti i Federatës Shqiptare të Karatesë, Petrit Babaj.