AlbanianSport.com 10/06/2018 11:35
ASNN – Karateja shqiptare tashmë ka dhe turne ndërkombëtarë, që i zhvillon në Tiranë. Dhe kjo është pazgjidhshmërisht meritë e Erton Lapollarit, instruktorit të ekipit “Energjia Karate”. Pikërisht dje ekipe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë mbledhur në Sallën e Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet, teksa është konkurruar në disiplinën “kata” (demonstrime) dhe “kumite” (dyluftime). Dhe gjithçka ka nisur nga fëmijët, për të përfunduar tek të rriturit.
Duke folur për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, Lapollari ka treguar dhe se si lindi ideja e kësaj veprimtarie, apo dhe ndihmat që ka pasur për ta bërë sa më mirë këtë veprimtari, që synohet të jetë e përvitshme. “Së pari, – thotë ai, – ne e ngritëm këtë veprimtari nën emrin e kompanisë për të rritur masivizimin në sportin e karatesë, por dhe për një shkëmbim eksperiencash që do të çojnë në ecjen përpara. Nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë nuk kemi pasur ndonjë mbështetje financiare.”
“Federata Shqiptare e Karatesë na ka ndihmuar me bazën materiale, apo dhe gjyqtarët, kurse të gjithë pjesëmarrësit janë këtu kundrejt një pagesë pjesëmarrjeje, – ka vijuar Lapollari. – Bashkia e Tiranës na ka ofruar sallën, sigurisht kundrejt pagesës. Synimi ynë kryesor është që ta bëjmë të përvitshëm këtë turne”. E më pas janë shpërndarë dhe kupat e medaljet për fituesit, kurse turneu ndërkombëtar “Energjia” duket se do të jetë i atashuar në kalendarin vjetor të Federatës Shqiptare të Karatesë.
Në përfundim “Bijtë e Shqipes” kanë qenë fituesit e turneut, kurse skuadrat më masive ishin Elbasani dhe “Forca” e Shkupit.