AlbanianSport.com 19.02.2017 12:25
ASNN – Sportisti i ri, Bekim Basha, fitoi vendin e 5-të në Kampionatin Evropian të Karatesë për Paratërinj, Të Rinj dhe Nën-21-vjeçarët, që po zhvillohet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje. Në këtë veprimtari, Shqipëria u përfaqësua me 3 sportistë, e më konkretisht me Sonja Barjamajn, që garoi në kategorinë e peshës trupore deri në 54 kg për paratërejat, me Bekim Bashën, që garoi në kategorinë e peshës trupore deri në 68 kg për të rinj, dhe me Mirsad Sadën, që garoi në kategorinë e peshës trupore deri në 67 kg të Nën-21-vjeçarët.
Sipas trajnerit, por, njëkohësisht, edhe babait të tij, Muratit, Bekimi fitoi 4 ndeshje në këtë Kampionatin Evropian, duke humbur “në mënyre të turpshme”, në gjysmëfinale me rezultatin minimal 0-1 përballë rivalit nga Franca. Sipas trajnerit, i cili ka postuar edhe foto ilustruese në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, “siç do shihni në fotot më poshtë, edhe në ndeshjen për vend të 3-të, përballë një kundërshtari rus, Bekimit nuk i jepen pikë në mënyre flagrante, ndërsa kundërshtarit rus dhe atij francez i jepen pikë “fantazmë”.”
“Ishte hera ime e parë si trajner dhe janë gabimet e mia, sepse ndoshta nuk zgjodha strategjitë e duhura, si për Bekimin, ashtu dhe për Sonja Barjamaj, e cila po ashtu u mund me rezultat minimal 0-1, – ka vijuar trajneri Murat Basha. – Vlen të theksohet se është hera e parë që një femër nga Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Evropian. Kam nderin që prej 8 muajsh, të stërvis këta dy sportistë të shkëlqyer, si Bekimi dhe Sonja.”