Kategoria e Parë edhe 24 orë përpara startit të garës ishte në kaos total. Vetëm dje në Librazhd kanë zbritur specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë bërë vlerësimin e fushës, por pa dhënë përgjigje nëse do të luhej ndeshja me Butrintin, apo jo.
Së dyti në kaos total ishte Bylisi, atje ku policia nuk e kishte marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes në “Adush Muça”, që sipas tyre nuk plotëson asnjë kusht. Mallakastriotët kanë ngritur zërin, ndërsa sipas tyre ka dhe stadiume të tjera në Shqipëri të Kategorisë së Parë që janë jashtë standardeve.
Ndoshta ngjarjet në Shkodër, të cilat precipituan në mënyrë më të pamenduar dhe më të paparë ndonjëherë në futbollin shqiptar, me sebepin e mospagesave të detyrimeve dhe federimeve kanë shtyrë Kategorinë e Parë. Sepse kategoria e Parë thuajse me të tilla probleme ka qenë dhe sezonet e kaluara, por nuk është shtyrë ndonjëherë.
Ndeshjet e Kategorisë së Parë, në të dy grupet A dhe B, për shkak të rivalitetit dhe tifozerive janë të një rrezikshmërie maksimale. Për rrjedhojë ngjarjet në Shkodër mund të kenë dhënë dhe këtë shtyrje pa afat të së Parës, ndërsa FSHF e ka gjetur justifikimin: dokumentacion i pa plotë i klubeve dhe mungesa të detyrimeve financiare.
Shkurt Kategoria e Parë nuk do të luajë sot dhe njëkohësisht nuk ka as datë se kur do të fillojë.