AlbanianSport.com 09/01/2018 08:45
ASNN – Trajneri largohet pas një fitoreje e dy barazimeve në 9 ndeshje të kampionatit, kandidati pohon bisedimet. Në fakt, duke folur ndeshjes me Teutën, Klodian Duro të jepte përshtypjen e një trajneri që punonte i qetë, përtej mungesës së rezultateve. Por të enjten, pa shkuar ende ora 10:00 e mëngjesit, klubi i Kamzës ka bërë të ditur shkarkimin e 39-vjeçarit.
Ende nuk ka informacione se cili do ta pasojë Duron në stolin e Kamzës, por njëri nga kandidatët e përfolur, elbasanasi tjetër, Julian Ahmati, ka pohuar për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar se ka patur bisedime me drejtuesit e klubit, por ende nuk ka një marrëveshje. Ahmati ka theksuar pret që bisedimet të vijojnë, dhe ndonëse palët janë ende larg, nuk e përjashton mundësinë e pranimit të një oferte që mund ta bindte.
“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro, – thuhet në një postim të Kamzës në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”. – Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu. Mungesat e rezultateve na detyrojnë të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment.”
“Trajnerit Klodian Duro, i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”, – përfundim postimi i klubit të Kamzës. Duro erdhi në krye të klubit më 4 shtator 2018, duke zëvendësuar Bledar Devollin e shkarkuar pas vetëm 3 ndeshjesh. Dhe, nën drejtimin e tij, Kamza korri vetëm një fitore, dhe mori dy barazime në kampionat, duke i humbur 6 ndeshjet e tjera dhe mbetet në zonën e rënies nga Kategoria, në vendin e parafundit, me vetëm 8 pikë të marra në 12 javë.