AlbanianSport.com 01.10.2016 18:55
ASNN – Kamza ka fituar 1-0 me Besën në ndeshjen e javës së dytë të grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Ka mjaftuar një gol i realizuar nga Rezi që në pjesën e parë, që skuadra e Kamzës të marrë tri pikët e plota në këtë sfidë. Kështu, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ashtu si çdo javë ka përcjellë edhe të shtunën, emocionet e një ndeshjeje të Kategorisë së Parë.
Dhe pikërisht ndeshjen Kamza-besa e cila u fitua nga skuadra vendase me rezultatin 1-0. Duhej të vinte minuta e 37-të e pjesës së parë që Rezi të shënonte golin e epërsisë për Kamzën. 45 minutat e para do të mbyllen me këtë rezultat në favor të vendasve. Por, ndërsa pritej që Besa të reagonte në pjesën e dytë, janë sërish vendasit që rrezikojnë.
Në minutën e 71-të, Frashëri pason bukur nga krahu i djathtë i sulmit, por asnjë nga shokët skuadrës nuk e ndjek sulmit. 4 minuta më pas, tjetër sulm i Kamzës. Rezi brenda zonës i pason Morinës, por ky i fundit nuk gjuan si duhet dhe topi përfundon jashtë kuadratit. 5 minuta para përfundimit të takimit Besa shpërdoron një rast të mirë për të barazuar kur topi i harkuar nga Frroku përfundon ngjitur me shtyllën.
Rasti i fundit i takimit regjistrohet në minutën e 88-të, kur Morina ekzekuton bukur një goditje dënimi por topi nuk përfundon në rrjetë. Ky takim ishte i vlefshëm për grupin A të Kategorisë së Parë. Kamza merr kështu fitoren e dytë në po aq ndeshje të luajtura të këtij sezoni, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve në renditje, aq sa ka edhe Burreli i vendit të parë.