Nderim Goci (Krujë) 02.11.2014 11:45
ASNN – Mamurrasi e ka fituar ndeshjen e radhës në Kamëz, por nuk ka bindur në fushën e lojës si një skuadër pretendente për në Superiore. Trajneri Ylber Zani ia ka hedhur fajin terrenin. Por në fakt Mamurrasi, të paktën për emrat e lojtarëve që ka në dispozicion, një pjesë janë lojtarë që kanë luajtur në Kategorinë Superiore e për më tepër që kanë dhe eksperiencën e të fituarit të trofeve, duhet të ishte më imponues në lojë.
Gjë që nuk ndodhi, ndërsa Kamza, falë dyshes së afrikanëve Udoh-Olatunji, që kanë qenë problematik në krahun e majtë, kanë bërë një ndeshje perfekte. Duke folur pas ndeshje, trajneri i Mamurrasit, Ylber Zani, deklaroi: “Skuadra po ecën në rrugën e duhur dhe, ndonëse kemi marrë një fitore të vështirë, gjithsesi lojtarët e mi nuk luajtën lojën që unë kërkoja. Patëm disa defekte në mesfushë dhe si gjithnjë vija sulmuese nuk funksionoj sa duhet.”
“Tashmë jemi vënë përfundimisht në ndjekje të kryesimit ku shpresojmë të kapin kreun, duke ditur që kampionati është tepër i gjatë, na bën të vetëdijshëm se ecuria e ekipeve rivale do të fillojë duke rënë e kësisoj ne shpresojmë se do t’ia dalim për ta parë ekipin tonë në Kategorinë Superiore”, – ka përfunduar ai.
Ndërsa trajneri/lojtar i Kamzës, Fatjon Tafaj, deklaroi: “Skuadra luajti e motivuar dhe me përkushtim për fitore. Ka qenë një gabim i vetëm në mbrojtje, ku ne u ndëshkuam. Më vjen keq që skuadra jonë humbi, këtë ne nuk e meritonim për lojën e bukur që dhuruam. Megjithatë lojtarët e Mamurrasit treguan edhe përvojën e tyre, duke na ndëshkuar në fundin e takimit.”
“Kemi humbur një betejë, lufta është e gjatë. Rëndësi ka që skuadra po konsolidohet dita ditës më mirë dhe shpresojmë në fitore të tjera në ndeshjen e radhës”, – ka përfunduar ai.