Gjergj Vyshka 19.10.2014 11:35
Tafaj i kënaqet fitores së parë së kampionatit, kurse Rustami ndihet keq për humbjen. Krutanët kanë pretenduar në dy raste për 11-metërsha, ndërsa Olatunji i lë vendësit me dhjetë lojtarë. “Për ne ishte shumë e rëndësishme kjo fitore, – ka deklaruar pas ndeshjes trajneri i Kamzës, Fatjon Tafaj. – Vinim pas dy humbjesh dhe kishim nevojë për pikët. Nuk e kam parë momentin e Olatunjit, por sigurisht që mund të them që krutanët e kanë acaruar situatën, sepse për çdo vendim kundërshtonin tek gjyqtari.”
“Ne jemi një skuadër që jo vetëm nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën, por duhet të jemi në mesin e tabelës”, – ka përfunduar trajneri/lojtar i Kamzës. Ndërkaq, homologu i tij, trajneri i Kastriotit, Shkëlzem Rustami, ka pranuar gabimet e bëra nga skuadra e tij, por edhe sulmoi gjykimin. “Jemi të pakënaqur, sepse është një humbje që ka ardhur dhe nga gabimet tona, sidomos në neglizhimet në mbrojtje, – ka theksuar ai. – Rastet e 11-metërshave i ka parë i gjithë publiku.”
“Megjithatë nuk dua të justifikohem me ato që bëri gjyqtari, por duhet të shohim lojën tonë. Dhe ndërrimi i portierit është pjesë e lojës, sepse dhe lojtarët e stolit duhet të japin sinjalin sa të gatshëm janë për të ndihmuar ekipin. Mendoj që jemi në situatë të vështirë, por shpresojmë të bëjmë kthesën që në ndeshjen me Ilirinë në Krujë”, – ka përfunduar trajneri i Kastriotit, Shkëlzem Rustami.