Gjergj Vyshka 09.11.2014 11:35
Kamza dhe Iliria e Fushë-Krujës kanë ndarë nga një pikë mes tyre në ndeshjen e luajtur dje në stadiumin e periferikëve të kryeqyteti. Një pikë që ka kënaqur djemtë e Fatmir Salës, por jo ato të Fatjon Tafajt. Madje ky i fundit në përfundim të ndeshjes do të deklaronte se në ecurinë e ekipit kanë ndikuar mungesat e Ibrahimllarit dhe Kolecit.
“Por ajo që po na shqetëson në ndeshjet e fundit është mbrojtja, prej së cilës kemi pësuar në ndeshjen e fundit me Mamurrasin dhe prej së cilës e kemi pësuar dhe sot”, – ka thënë Tafaj, i cili është ndëshkuar me karton të kuq për shkak të dy të verdhëve që ka marrë radhazi nga gjyqtari Breshanaj.
“Do të mundohemi që të rikuperojmë shumë gjëra në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit për të qenë në vazhdim një Kamëz ndryshe”, – ka shtuar ai. Në përgjithësi ka qenë një ndeshje e barabartë, atje ku miqtë nga Fushë-Kruja kanë shënuar të parët me anë të Kurtit në minutën e 31-të.
Presioni i vendësve ka ardhur gjithnjë në rritje derisa katër minuta përpara se të përfundonte ndeshja Kamza do ta detyronte Melanin që të shënonte në portën e tij dhe në përfundim 1-1.
Kamza – Iliria Fushë-Krujë 1-1
Shënues: Melani 86’(a.g.) / Kurti 31’
Kamza: Sejdini, Tafaj, Nino, Maho, Gjonaj, Keta, Udoh, Olatunji, Ahmetaj (Lame 57’), Xhemalaj, Blloku (Zuna 78’). Trajner: F. Tafaj
Iliria Fushë-Krujë: Baku, Melani, Mata, Balliu (Vathi 60’), Balluku, Doçi, Kurti, Selaci (Caca 46’), Pasha, Lleshi (Bërdufi 88’), Ajazi. Trajner: F. Sala
Gjyqtarë: B. Breshanaj, D. Rexha, B. Mesi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Tafaj (2), Maho, Keta, Lame.
Karton i kuq: Tafaj