Gjergj Vyshka 19.10.2014 09:45
Koleci ka vlejtur tre pikë për Kamzën, ndërsa vendësit e kanë ruajtur me fanatizëm golin e tyre që ka dhënë fitoren e parë. Një Kamëz më agresive në lojën e saj, sidomos në pjesën e parë, atje ku përvoja e Mahos është gërshetuar mirë me pjesën tjetër të grupit, sidomos dy nigerianët Udoh dhe Olatunji, dhe në përfundim skuadra e Tafajit ka marrë fitoren.
Madje trajneri ka luajtur vetë për 90 minuta, ndërsa kështu kontributi i tij është pjesë e suksesit të skuadrës edhe në fushë. Kastrioti është kujtuar të luajë vetëm pas pësimit të golit. Skuadra e Rustamit bëhet e rrezikshme, tenton, por dhe nervozohet. Jo më kot është ndëshkuar disa herë me kartonë të verdhë, aq sa disa herë ka dhe përplasje mes lojtarëve.
Shaba me Udoh, Kehinda me pjesën tjetër të Kamzës, Stafa me gjyqtarin. Por nuk kanë mbetur më pas dhe nigerianët e Kamzës, ndërsa kështu ka qenë një ndeshje e tensionuar. Ndërkohë që Kastrioti ka pretenduar me dy penallti, të cilat janë momente dhe për moviolë, por që gjithsesi mbesin dhe ndërgjegjen e Dyrmishit për vendimet që ka marrë.
Sakaq tensioni ka arritur atë masë sa në një provokim të thjeshtë, Olatunji godet me bërryl Kulen dhe për rrjedhojë kartoni i kuq. Pavarësisht përpjekjeve të Kastriotit, rezultati mbeti i pandryshuar dhe Kamza mori tre pikët e para të sezonit.
Kamza – Kastrioti 1-0
Shënues: Koleci 16’
Kamza: Sejdini, Nino, Udoh, Ibrahimi, Tafaj, Lame (Zuna 80’), Maho (Keta 52’), Xhemalaj, Blloku, Koleci, Olatunji. Trajner: F. Tafaj
Kastrioti: Çali (Selaci 46’), Hoxha, Caca, Ndoni, Stafa, Bytyçi, Kehinda, Bakiu (Kule 78’), Guri, Pengili, Shaba (Shkreta 69’). Trajner: Sh. Rustami
Gjyqtarë: E. Dyrmishi, E. Potomi, R. Zaimi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Udoh, Tafaj / Hoxha, Caca, Stafa, Kehinda, Shaba
Karton i kuq: Olatunji
Minuta e golit:
16’ Maho ka shpërthyer nga e majta e sulmit kamzali, ka krosuar për në zonën e rreptësisë krutane dhe Koleci, i pambuluar nga mbrojtësi miq, me një gjuajtje me kokë në formë parabole e ka dërguar topin pas shpinës së portierit Çali dhe rrjetë. 1-0
Minutat e tjera:
2’ Olatunji, që nga e djathta e sulmit kamzali, ka gjuajtur në pozicion diagonal me portën mike, por ka pritur Çali.
9’ Goditje dënimi për Kamzën në të majtë të sulmit vendës, ka krosuar Maho, Ibrahimi ka gjuajtur me kokë, përpiqet dhe Olatunji ta devijojë sferën në rrjetë, por nuk arrin dhe sfera përfundon jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Çali
42’ Pas një aksioni të shpejtë të vendësve, Blloku ka gjuajtur me kokë, por Çali ka pritur.
44’ Kastrioti ka pretenduar për 11-metërsh, ndërsa Shaba, në një dyluftim me portierin Sejdini, është penguar brenda zonës së rreptësisë së Kamzës, por për gjyqtarin Dyrmishi gjithçka ka qenë e rregullt dhe loja ka vazhduar. Krutanët kanë protestuar, ndërsa Stafa ka prekur dhe me dorë gjyqtarin kryesor, duke merituar kartonin e verdhë.
51’ Bytyçi ka gjuajtur në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, por ka pritur i sigurt portieri Sejdini
54’ Tenton përsëri Kastrioti, Guri ka gjuajtur fort me kokë, por Sejdini, me majat e gishtërinjve, e ka devijuar topin në goditje këndi.
67’ Tjetër pretendim i Kastriotit për 11-metërsh. Bakiu është penguar në depërtimin e tij në zonën e rreptësisë së Kamzës nga mbrojtësit vendës, por përsëri për gjyqtarin Dyrmishi gjithçka ka qenë e rregullt.
70’ Xhemalaj, i ndodhur në të majtë të sulmit kamzali, ka gjuajtur nga një goditje dënimi, nga rreth 20 metra, por Selaci ka grushtuar në korne.
80’ Kastrioti pranë barazimit të rezultatit, Guri ka gjuajtur me kokë, por Tafaj e ka larguar topin tek vija “fatale” e portës së Kamzës dhe vetëm goditje këndi për miqtë.
85’ Udoh ka gjuajtur fort nga e majta e sulmit kamzali, por topi është penguar në traun e portës mike dhe ka dalë jashtë.