AlbanianSport.com 17/08/2018 23:30
ASNN – Kamza është gati për sezonin e ri, që për trajnerin Bledar Devolli është një sfidë e veçantë. “Padyshim që është ndeshja e parë për mua si trajner në Kategorinë Superiore dhe për këtë arsye do të mbetet gjatë në kujtesë”, – ka thënë ai duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur të premten.
Trajneri i Kamzës është ambicioz për sfidën me Tiranën. “Që kur u hodh shorti, ne kemi menduar sesi do ta përgatisim këtë ndeshje dhe synojmë një rezultat pozitiv, ndërsa edhe barazimi nuk do të ishte një rezultat i keq”, – ka theksuar Devolli. Ndërsa futbollisti Olsi Teqja synon një tjetër sezon të suksesshëm në rikthimin e tij në Shqipëri.
Teqja shkon si “ish” në sfidën me bardheblutë, por sidoqoftë mendon vetëm për fitoren e skuadrës së tij. “Jo vetëm unë, por edhe trajneri vetë, edhe Sebino (Plaku) e disa lojtarë të tjerë kemi luajtur me Tiranën, por tanimë mendojmë dhe punojmë vetëm për Kamzën”, – tha Teqja.
Takimi i vlefshëm për javën e parë të Kategorisë Superiore, Tirana-Kamza, luhet të shtunën në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:45.