Gjergj Vyshka 08.02.2015 21:45
Duke folur pas ndeshjes së fituar minimalisht ndaj Besës, trajneri i Kamzës, Ylber Zani, ka deklaruar: “Edhe unë jam në një stres të madh, sepse edhe pse punojmë shumë në stërvitje ende nuk po e gjejmë njeriun që të kthejë në gol 11-metërshat. Tre janë shumë për një skuadër për të mbijetuar. E kemi nisur keq ndeshjen, me një keq vendosje të Ibrahimllarit në mbrojtje. Por më pas, gradualisht i kemi përmbysur situata.”
“11-metërshi i humbur e vuri në një gjendje të rënduar psikologjike skuadrën, – ka vijuar shkodrani i stolit të Kamzës. – Por që e rikuperuam me golin e Hametajt. Në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta. Mos harroni që Kamza është ndeshur me shtatë largime. Në një farë ka ndikuar dhe terreni i rënduar në cilësinë e lojës. Por unë kam bindjen se do të mbijetojmë”. Ndërsa homologu i tij kavajas, Bledar Sinella, nuk pranoi ta dramatizojë humbjen.
“E kemi nisur mirë ndeshjen, ndërsa shumë shpejt e kemi kapur dhe mesin e fushës, – ka deklaruar trajneri i Besës. – Mund të kishim shënuar me Hasën. Në pjesën e dytë edhe me zëvendësimet e kryera sërish e kemi pasur lojën në dorë. Mirëpo mungesat e Lushkjes dhe Krasniqit kanë qenë evidente në ekipin tonë, sepse nuk kishte kush të realizonte. Për golin nuk kam se çfarë them, sepse është ekzekutim i rrallë i Hametajt.”
“Sikurse nuk kam se çfarë të them edhe për penalltinë e dhënë në disfavorin tonë, sepse ishim larg. Largimet nuk i qajmë më, por me këtë grup do të mbijetojmë”, – ka përfunduar Sinella.