AlbanianSport.com 23/08/2021 22:25
ASNN – Futbollisti i Renës këmbëngul t’i bashkohet Paris SG-sënë fund të gushtit. Përveç ndonjë surprize të minutës së fundit, Eduardo Kamavinga nuk do të vazhdojë më tek Rena dhe do të largohet para përfundimit të merkatos. Siç raportohet nga mediat franceze dhe konfirmohet edhe nga prestigjiozja “L’Equipe”, futbollisti francez luajti ndeshjen e tij të fundit në shtëpi kundër Nantës të dielën dhe tani duhet t’i thotë lamtumirë skuadrës së tij.
Sipas “L’Equipe”, e ardhmja e Kamavingës është drejt Parisit. PSG-ja mund të nënshkruajë me të për 30 milionë Euro para mbylljes së merkatos verore, një shifër shumë më e vogël se 100 milionët që Rena kërkoi një vit më parë për mesfushorin apo 50 milionë, kur klubi kishte kërkuar në qershor për ta lënë atë të lirë. Zhvlerësimi i lojtarit ka qenë total. Ai nuk ka dashur të rinovojë, ka rënë shumë në paraqitje, deri në pikën e të qenit zëvendësues.
E tani nuk është thirrur as në ekipin përfaqësues të Francës. Eduardo Kamavinga tashmë i ka shprehur dëshirën Renës për të shkuar në Paris SG-në. Të luash në kryeqytetin francez dhe në një skuadër që synon për të fituar Ligën e Kampionëve, mund të të afrojë me ëndrrën për të shkuar në Botërorin e 2022-shit, në Katar. Për momentin, Paris SG nuk ka dërguar një ofertë fillestare për mesfushorin, por pritet ta bëjë këtë para përfundimit të merkatos.