AlbanianSport.com 15.11.2016 14:20
ASNN – Akrobacitë e kalendarit vazhdojnë edhe këtë sezon nga ana e organizmit që qeveris futbollin shqiptar, pasi FSHF-ja ka bërë të ditur orarin e sfidave për javën e 11-të Kategorinë Superiore, ku bie në sy shpërndarja në 3 ditë e ndeshjeve të futbollit elitar në vendin tonë.
Kështu, kjo javë do të nisë me ndeshjen që do të vendosë kampionen në fuqi, Skënderbeun, në shtëpi përballë Korabit, në një sfidë skajesh të renditjes. Por përballja e korçarëve do të zhvillohet pa tifozë për shkak të dënimit të dhënë nga Disiplina pas trazirave në sfidën ndaj Partizanit.
Ndeshja Skënderbeu-Korabi do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, e ndjekur vetëm nga gazetarët dhe kamerat. Por të shtunën, Tirana do të synojë t’i afrohet kreut, kur të përballet me Laçin, një kundërshtar ky i kthyer në makth për bardheblutë sezonet e fundit.
24 herë kampionët do të presin kurbinasit që mbeten në katet e poshtme të renditjes, në takimin që nis nga në orën 17:00 në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Të dielën do të luhen dy ndeshje të tjera të Kategorisë Superiore, dhe, duke nisur nga ora 14:00, në Gjirokastër, Luftëtari pret Flamurtarin, ndërsa duke nisur nga ora 17:00, Partizani është mysafir në Shkodër, për t’u ndeshur me Vllazninë.
Shkodranët paraqesin një provë të ashpër për pretendimet e “Demave të kuq”, aq më tepër kur frymëzohen nga rikthimi në shtëpi, në Stadiumin “Loro Boriçi”. Takimi që përmbyll javën është ai i së hënës, që nis në orën 18:00, midis Teutës dhe Kukësit bashkëkryesues, që synon të marrë 3 pikë për të mos lëshuar vendin e parë në renditje.