Denis Bajraktari (Shkodër) 30.01.2016 17:55
ASNN – Vllaznia e nis me fitore fazën e tretë të Kategorisë Superiore, duke mposhtur kryesuesen e kampionatit, Skënderbeun e Korçës. Takimi i zhvilluar në Fushën Sportive “Reshit Rusi” është mbyllur më fitoren e shkodranëve, me rezultatin e ngushtë 1-0. Ka qenë një kundërsulm i ekipit shkodran në minutën e 66-të, ku pas kombinimeve të Shtubinës dhe Kalasë, ky i fundit ka kaluar në epërsi ekipin e tij, duke shënuar në zonë. Një epërsi kjo që, ndonëse minimale, zgjati deri në përfundim të takimit.
Një takim, i cili dhuroi dy pjesë të ndryshme, ku, në të parën, korçarët zhvilluan një lojë më të qetë, edhe pse ishin më kërkues ndaj golit. Ndërsa në të dytën, miqtë rritën volumin e lojës, por ishin shkodranët që përfituan me anë të kundërsulmeve, ku njëri prej tyre rezultoi vendimtar. Në fakt, ekipet zbritën në fushën e lojës me të njëjtët formacione si në ndeshjen e Kupës, me përjashtim të sulmit të Skënderbeut, ku në vend të Plakut, u aktivizua sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi.
Reparti i mbrojtjes i Vllaznisë ka qenë sot në një ditë të shkëlqyer, duke bllokuar Salihin, në disa raste të rrezikshme, por edhe përpjekjet e Latifit dhe Abazit. Pavarsisht përpjekjeve të shumta, duhet theksuar se te ekipi korçar duket se ndihet mungesa e dyshes së larguar Berisha-Olajinka. Por, nga ana tjetër, edhe shkodranët vuajnë shumë për një sulmues kryesor. Edhe në takimin ndaj Skënderbeut u pa një gjë e tillë, edhe pse Kalaja dhe Çinari, që ishin vendosur në sulm, dhanë maksimumin.
Përsa u përket 90 minutave të takimit, rasti më i mirë për korçarët u regjistrua në minutën e 87-të, kur Radas goditi shtyllën horizontale, ndërsa për shkodranët rasti më i mirë padyshim që ishte në minutën e 66-të, ku u realizua edhe goli, edhe pse pak minuta para shënimit të tij, shkodranët zhvilluan të njëjtin aksion, por mbrojtësi Jashanica largoi rrezikun në zonën mike.
Gjithashtu, në pjesën e dytë, për ekipin e Vllaznisë u aktivizua edhe mesfushori Alsid Tafili, i cili u rikthye në qytetin e tij pas aventurës te Partizani. Pas kësaj fitoreje, Vllaznia ngjitet në kuotën e 18 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 7-të, ndërsa Skënderbeu mban vendin e parë me 43 pikë, por, në rast të një fitoreje të Partizanit ndaj Laçit, në takimin që ka nisur në ora 17:00 dhe po luhet në kryeqytet, do të detyrohet të ndajë vendin e parë me të kuqtë.