AlbanianSport.com 08.04.2016 10:45
ASNN – Supersfida e Ligës së Evropës, Borusia e Dortmundit-Liverpul është mbyllur në barazim 1-1. Një ndeshje mjaft e bukur, me rivalitet dhe tepër luftarake ku rastet për shënim nuk kanë munguar për të dyja skuadrat. Ky rezultat është më favorizues për skuadrën angleze që ndeshjen e kthimit e luan në fushën e vet.
Radio-Televizioni Shqiptar ka sjellë për teleshikuesit supersfidën e Ligës së Evropës, Borusia e Dortmundit-Liverpul. Një ndeshje mjaft e bukur që sipas mënyrës së lojës që u pasqyrua në fushë, rezultati 1-1 ishte i drejtë. Borusia krijon më shumë volum loje në pjesën e parë dhe megjithë rastet e shuma nuk arrin të finalizojë.
Liverpuli befason kur shënon në minutën e 36-të, me anë të Origit. Ai përfiton nga një shpërqendrim në mbrojtje dhe shënon, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit vendas, Vaidenfelerit. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e miqve. Në 45 minutat e dyta, trajnerët përkatëse bëjnë lëvizjet e duhura taktike.
Dhe Borusia arrin të barazojë pas 3 minutash lojë. Një krosim në zonë pas goditjes së këndit, Humels fiton luftën në ajër me kundërshtarët dhe shënon. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave ky rezultat nuk ndryshon deri në fund të takimit. Ky rezultat është më favorizues për skuadrën angleze pasi ndeshjen e kthimit do ta luajë në fushën e vet.
Në ndeshjet e tjera çerekfinale të Ligës së Evropës, u arritën këto rezultate: Atletiko Bilbao-Sevija 1-2, Vijareal-Sparta Pragës 2-1, Braga-Shaktar 1-2.