AlbanianSport.com 21.11.2014 21:20
Sporti i futbollit është një sport i dashur për të gjithë. Edhe në Bajzë të Kastratit, atje ku është qendra e komunës, jo vetëm që zhvillohen ndeshjet e zonës, por është zhvilluar dhe Spartakiada e Kastratit. Me pjesëmarrjen e nëntë ekipeve që janë Rapsh, Hot, Vukpalaj, Jeran, Ivanaj, Gradec, Goraj, Petroshan e Vrith. Në Bajzë ka qenë tradita e zhvillimit të spartakiadave (si një kampionat i vogë) e kjo që prej 18 vitesh, ndërsa kjo traditë është ruajtur dhe nuk është harruar.
Ndonëse për arsye të tranzicionit, apo dhe mungesës së kushteve, sërish kjo Spartakiadë zhvillohet. Pas 18 vitesh, nën kujdesin e kryetarit të Komunës së Kastratit, Viktor Popaj, e në bashkëpunim me Këshillin e Komunës u bë e mundur zhvillimi i këtij aktiviteti, që ka sjellë bashkimin e të rinjve të nëntë fshatrave. E kësisoj është zhvilluar një kampionat, që ka ringjallur një traditë të harruar prej vitesh. Ndeshjet janë zhvilluar në fushën sportive të Bajzës dhe janë ndjekur nga tifozët vendës dhe disa të ardhur nga Mali i Zi.
Pasi janë zhvilluar ndeshjet e grupeve, në të cilat është parë një lojë e fortë mes skuadrave dhe me shumë rivalitet, Pjetroshani dhe Ivanaj janë kualifikuar për në finale. Koha e rregullt e finales ka përfunduar 1-1, atje ku ka shënuar Lakaj për Ivanajn dhe Hasaj për Pjetroshanin. Dhe gjithçka është kaluar më pas tek gjuajtjet e 11-metërshave, atje ku ka fituar 7-6 Ivanaj. E veçanta në gjuajtjet e 11-metërshave ka qenë fakti se të dy shënuesit e golave të finales i kanë humbur goditjet e tyre.
Sipas trajnerit të moshave deri në 13 vjeç, i cili është dhe themeluesi i futbollit në këtë zonë, Ndue Burgaj, ka fituar ajo skuadër, e cila ka luajtur futbollin më të bukur. Dhe ajo ishte e fshatit Goraj, quajtur ndryshe Ivanaj, ndërsa sipas Burgaj ishte e bukur kthimi i kësaj tradite të harruar në zonën e Kastratit.